TË FUNDIT

Turqia në këmbët e “arnautëve”, Ernest Muçi jep 3 asiste, Qazim Laçi shënon në të njëjtin duel

U shpall më i miri i ndeshjes. Ernest Muçi ishte me të vërtetë i veçantë këtë fillim jave në Superligën turke të futbollit, edhe pse nuk shënoi asnjë gol.

Talenti i shkëlqyer i kombëtares shqiptare shërbeu 3 asistë, dhe ishte ai që krijoi një tjetër gol, në duelin jashtëzakonisht emocionues që Trabzonspori I tij e fitoi 4-3 në fushën e Rizesporit.

Muçi ktheu përmbys një përballje tepër të vështirë, që miqtë po e humbisnin 2-0 në pjesën e parë. Spektakli i tij nisi në 49’, kur shërbeu shokun e ekipit, Melih Kabasakal për 1-2.

Pa kaluar mirë dy minuta, lojtari ofensiv kuqezi ndihmoi shokun tjetër, Aral Shimshir, për 2-2. Goli I tretë për Trabzonin u shënua nga Frankulino në 57’, që u quajt pa asist, por njeriu që pati meritën më të madhe ishte sërish Muçi, gjuajtje e të cilit u devijua nga portieri te këmbët e Frankulinos.

Më pas I erdhi radha shqiptarit tjetër, Qazim Laçi, që shënoi për Rizesporin duke barazuar rezultatin në 3-3 në 68’. Lumturia e mesfushorit të Shqipërisë ishte e madhe, për rrjetën numër 3 të sezonit për të, në 9 ndeshje në elitën e Turqisë.

Vula rezultatit përfundimtar iu vu edhe një herë nga Frankulino, shtatë minuta para fundit, dhe përsëri asisti u dha nga Muçi. Ylli 25-vjeçar dha një pasim nga përtej mesit të fushës dhe qendërsulmuesi afrikan nga Guinea-Bisao nuk gaboi.

Muçi u shpall lojtari më I mirë I ndeshjes nga “sofaskor” me notën 9.2, ndërsa mori 41 për qind të votave të tifozëve për të qenë Numri 1. Shqiptari u bë i pari futbollist që jep 3 asiste në një ndeshje të vetme të Superligë turke deri tani, dhe me 5 asiste është në vend të parë të kësaj renditjeje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *