Trajneri i njohur spanjoll favoriti kryesor për të marrë drejtimin e Man United
E ardhmja e stolit të Manchester Unitedit ka hyrë në një fazë vendimtare, ndërsa drejtuesit e klubit kanë nisur të shqyrtojnë alternativa për trajnerin Michael Carrick.
Sipas raportimeve, Cesc Fabregas është një prej opsioneve serioze që po merret në konsideratë nga “Djajtë e Kuq”, në rast se klubi vendos ta shkarkojë Carrickun nga posti i trajnerit të ekipit të parë.
Pozita e Carrickut në “Old Trafford” është bërë tejet delikate.
Sipas raportimit të Indykaila, bordi i klubit i ka dhënë trajnerit një ultimatum të kushtëzuar deri në pushimin e ardhshëm të nëntorit për kombëtaret, me synimin që të përmbysë krizën e rezultateve dhe ta rikthejë skuadrën në rrugën e duhur.
Nëse rezultatet dhe grumbullimi i pikëve nuk përmirësohen ndjeshëm gjatë kësaj periudhe, aventura e ish-mesfushorit anglez në stolin e Manchester Unitedit mund të përfundojë para kohe.
Në anën tjetër, interesimi për Fabregasin lidhet me progresin e tij të dukshëm në aspektin taktik dhe metodologjik në rolin e trajnerit në futbollin evropian, paraqitje që thuhet se ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve të Manchester Unitedit.
Kështu, ish-ylli i Arsenalit dhe Barcelonës mund të bëhet një prej kandidatëve kryesorë për të marrë drejtimin e “Djajve të Kuq”, nëse Carrick nuk arrin ta ndryshojë situatën në javët e ardhshme./ Telegrafi /
