Tokë e Hidhur: Kërkimi i papërfunduar i Kroacisë për varret masive të luftës
Me BIRN-in që harton varret masive në të gjithë Kroacinë për bazën e të dhënave “Toka e Hidhur” të vendeve të varrimit të luftës jugosllave, një ish-hetues i ICTY-së kujton kërkimin e tij për viktimat e konfliktit të viteve 1991 – 1995 dhe keqardhjen që ai ende ndjen për ata që nuk mundi t’i gjente.
Ladimir Dzuro kujton me gjallëri erën e keqe dhe mizat. “Mizat ishin kudo”, tha ai. Ish-oficer policie çek, Dzuro kaloi gati një dekadë duke kërkuar trupa si hetues në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë.
“Për mua, ishte vërtet çështje të bëja gjënë e duhur,” tha ai. Familjet e të vrarëve “kishin shpresa të rreme”, tha ai. “Dhe ne u sollëm atyre realitetin, i cili ishte i tmerrshëm. Realiteti ishte i tmerrshëm për ta.”
Falë përpjekjeve të njerëzve si Dzuro, mbetjet e rreth 2240 viktimave të luftës janë zhvarrosur nga varret masive në Kroaci dhe 91 për qind e tyre janë identifikuar më pas. Zbulimi i këtyre varreve kontribuoi në aktakuzën dhe dënimin e atyre që janë përgjegjës.
“Nuk mund të ndiqen penalisht kryerësit për vrasje masive kur nuk i ke trupat”, tha Dzuro. “Isha i përqendruar që të mos bëja gabime që mbrojtja do t’i përdorte më pas, duke thënë se ne kemi manipuluar provat.”
Sot, Dzuro është 65 vjeç dhe në pension. Por kërkimi për varre masive vazhdon, tre dekada që kur armët heshtën. Sipas Ministrisë Kroate të Veteranëve, në dekadën e kaluar janë identifikuar eshtrat e 343 personave, por 1725 të tjerë janë ende të zhdukur nga lufta e viteve 1991 – 1995.
BIRN-i, që nga viti 2020, ka hartëzuar të gjitha varret masive të njohura në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi me qëllim konsolidimin e të dhënave mbi të vrarët ose ende të zhdukurit nga luftërat jugosllave. Projekti, i titulluar “Toka e Hidhur” , mbështetet nga Agjencia Suedeze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim, Programi Holandez i Sundimit të Ligjit Matra dhe Bashkimi Evropian. Baza e të dhënave sapo është përditësuar me kërkime të reja nga Kroacia, por procesi i hartëzimit është larg përfundimit: ai përfshin negocimin e labirintit të burokracisë shtetërore kroate, ku të dhënat e ofruara janë pothuajse gjithmonë të paplota.
Sipas Ministrisë së Veteranëve, në Kroaci ka afërsisht 150 varre masive. Megjithatë, ministria i dha BIRN-it informacion vetëm për ata që janë shënuar zyrtarisht me një memorial të standardizuar, të projektuar nga skulptori i ndjerë kroat Slavomir Drinkoviç: një memorial nga graniti i zi me një çarje në formën e një kryqi dhe një pëllumbi.
Memoriali është instaluar në 85 vende ku janë zbuluar varre masive, shumica në Sllavoninë Lindore, rajoni që pa disa nga luftimet më të ashpra, përfshirë Betejën e Vukovarit në 1991. Rënia e Vukovarit në duart e Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe paraushtarakëve serbë u pasua nga ekzekutimi më i madh masiv i luftës në Kroaci – rreth 260 ushtarë dhe civilë të plagosur u morën nga spitali i qytetit dhe u ekzekutuan në fermën bujqësore Ovcara aty pranë.
Duke iu bashkuar prokurorisë së ICTY-së në 1995, detyra e parë e Dzuros ishte të mblidhte prova kundër komandantit paraushtarak serb Zeljko “Arkan” Raznatoviç , udhëheqës i Gardës Vullnetare Serbe, njësia e njohur si “Tigrat”, e konsideruar ndër më brutalet e luftërave jugosllave dhe e përgjegjshme për krime lufte në Kroaci dhe Bosnjën lindore.
ICTY-ja paditi Arkanin në 1999, por ai u vra në Beograd në vitin 2000. Dzuro kujtoi frustrimin, njësoj si kur Slavko Dokmanoviç, kryetari i bashkisë së Vukovarit të pushtuar, kreu vetëvrasje një muaj para vendimit në gjyqin e tij në Hagë. I akuzuar në 1996 për rolin e tij në masakrën e Ovcarës, Dokmanoviç u arrestua në qershor 1997 dhe vdiq në qershor 1998.
“Absolutisht ishte frustrim,” tha Dzuro, “por frustrimi i parë për ne erdhi me Dokmanoviçin, i cili ishte arrestimi i parë i një të akuzuari për krime lufte që nga Lufta e Dytë Botërore”.
Megjithatë, arrestimi i Dokmanoviçit ishte një pikë kthese: “Kur erdhëm në Kroaci si ICTY, askush nuk besonte se e merrnim seriozisht. Dhe pastaj, përmes zhvarrimit në Ovcarë dhe arrestimit të Dokmanoviçit, ne vërtetuam se e merrnim me të vërtetë seriozisht. Më në fund, dikush do të paguante për këtë.”
Oficerët e JNA-s Mile Mrksiç dhe Veselin Sljivançanin u dënuan më vonë në Hagë për krimet e rrethimit të Vukovarit: Mrksiç me 20 vjet burg (vdiq në 2017), SljivanÇçanin me 10 vjet (i liruar në 2011).
Dzuro kaloi pak më shumë se 10 vjet duke hetuar varret masive në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Në Kosovë, ku “zhvarrosëm 2800 trupa” në gjashtë muajt e parë të programit, ai kuptoi për herë të parë prekjen ndaj shëndetit të tij mendor, në një shpërthim zemërimi gjatë një bisede familjare për një lavatriçe të prishur.
“Zhvarrosja e trupave të vdekur çdo ditë nuk është normale,” kujtoi ai t’i kishte thënë gruaja e tij: “Për herë të parë, e kuptova se në të vërtetë më prek mua ky lloj pune.”
Dzuro përfundimisht u zhvendos në selinë e OKB-së në Nju Jork, por nuk ka keqardhje. “Unë gjithmonë e shoh atë nga perspektiva e familjeve të viktimave. Ata donin që të dashurit e tyre të ktheheshin gjallë. Dhe nëse nuk mund të ishin gjallë, atëherë të paktën të kishin trupat e tyre.”
Ai vlerësoi bashkëpunimin e autoriteteve kroate, duke veçuar Ivan Grujiç, koloneli që kaloi më shumë se dy dekada duke udhëheqë ekipin e Ministrisë së Veteranëve për gjetjen e të zhdukurve. “Të dhënat ekzistojnë, koordinatat GPS ekzistojnë,” tha Grujiç për BIRN-in, duke shtuar se një numër i konsiderueshëm rastesh shtesë mund të zgjidhet, megjithëse disa viktima ka të ngjarë të mos gjenden kurrë ose sepse trupat u shkatërruan, ose sepse u hodhën në lumenjtë Danub apo Drava. Sipas tij, kërkimet u kryen edhe në Serbi, nga ku u sollën mbetjet e rreth 200 – 300 individëve.
Ish-kryeministrja kroate Jadranka Kosor, ministre e veteranëve mes 2003 dhe 2009, tha se një listë e konsoliduar e të zhdukurve u përpilua gjatë mandatit të saj me ndihmën e Kryqit të Kuq: “Ajo përfshin ushtarë kroatë, si dhe ata që u zhdukën në vitin 1995. Ajo përfshin si kroatë ashtu edhe serbë.”
Kjo nuk i ka ndaluar autoritetet të zvarriten: dy javë më parë, ministria e brendshme kroate zgjati afatin për të dhënë informacionin e kërkuar nga BIRN-i sipas Ligjit për të Drejtën e Qasjes në Informacion.
Dzuro ende përndiqet nga fakti se jo të gjithë janë gjetur, përfshirë 60 të vrarë në fermën Ovcara pranë Vukovarit. “Nuk është faji im, por kam këtë ndërgjegje fajtore që nuk i gjetëm pjesën tjetër të trupave nga Ovcara,” tha ai, duke shtuar se, bazuar në një dokument nga ushtria jugosllave, dyshonte se ata ishin zhvendosur në një të ashtuquajtur “varr dytësor”.
“Sa herë që vij në Vukovar, udhëtimi im i parë është në Ovcara,” përfundoi Dzuro. “Jam disi i lidhur me atë vend për shkak të 60 personave të tjerë që nuk arritëm t’i gjenim.” /KosovaNews/
