TË FUNDIT

Tahiraj del kundër kërkesës së protestuesve për Gërvallën: “Jo! Kjo nuk duhet të ndodhë”

Në Kosovë po mbahen protesta pas vendimit për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë.

Protestuesit, përveç kundërshtimit të vendimit, kanë paraqitur edhe disa kërkesa drejtuar Qeverisë dhe Presidencës së Kosovës, ndër to edhe shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, si dhe mbështetje më të madhe për mbrojtjen e të akuzuarve.

Veprimtari Saim Tahiraj, në një prononcim për “Bota sot”, i ka cilësuar protestat kundër vendimeve të Gjykatës Speciale si kundërproduktive për Kosovën.

Ai ka thënë se drejtësia nuk vendoset përmes protestave dhe presionit politik, por përmes gjykatave dhe procedurave ligjore.

Tahiraj ka shprehur gjithashtu mbështetje për qëndrimet e ministres Donika Gërvalla.

“Të gjitha këto protesta janë kundërproduktive dhe, në vend që t’i shërbejnë Kosovës, po i shkaktojnë dëme të drejtpërdrejta shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Cila është logjika e protestimit në rrugë, duke kërkuar „drejtësi“ kundër një procesi gjyqësor?

Drejtësia nuk vendoset në rrugë, në turma dhe as përmes presionit politik. Drejtësia vendoset në gjykata. Nëse dikush mendon se është bërë padrejtësi, ekzistojnë rrugët dhe mekanizmat ligjorë për ta kundërshtuar atë. Ankesa bëhet përmes institucioneve dhe procedurave të përcaktuara me ligj, jo përmes presionit të rrugës.

Pothuajse i vetmi personalitet politik dhe institucional që ka pasur guximin ta thotë publikisht të vërtetën e hidhur, me emër dhe mbiemër, është Donika Gërvalla. Për këtë qëndrim, ajo meriton respekt dhe mbështetje nga të gjithë ata që vërtet e duan të vërtetën dhe drejtësinë”, tha ai.

Tahiraj ka kundërshtuar kërkesën për dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, duke e cilësuar atë si paradoksale.

Ai ka thënë se Gërvalla duhet të qëndrojë në detyrë dhe se vendimet gjyqësore duhet të kundërshtohen përmes rrugëve ligjore dhe institucionale, e jo përmes protestave apo presionit politik.

“Kërkesa për dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, znj. Gërvalla, pikërisht në këtë moment, nga ata që kërkojnë „drejtësi“ në rrugë, është një paradoks i madh. Të kërkosh dorëheqjen e ministres së Drejtësisë pse ajo mbron funksionimin e drejtësisë është, në thelb, përpjekje për ta heshtur dhe varrosur të vërtetën.

Jo! Kjo nuk duhet të ndodhë.

Ministrja e Drejtësisë, znj. Donika Gërvalla, duhet të qëndrojë në detyrë deri në përfundim të mandatit të saj dhe të vazhdojë të mbrojë parimin se drejtësia nuk mund të zëvendësohet me presionin e rrugës.

Kosova është shtet dhe si shtet duhet t’i respektojë institucionet, ligjin dhe proceset gjyqësore. Mund të mos na pëlqejë një vendim, mund të na dhembë një vendim dhe mund të mos pajtohemi me të, por përgjigjja ndaj tij duhet të jetë ligjore dhe institucionale.

Drejtësia duhet të vendoset përmes gjykatave, sado e dhimbshme të jetë ajo për dikë. Vendimet gjyqësore nuk mund të zëvendësohen me brohoritje, protesta apo presion politik.

Në një shtet ligjor, drejtësia kërkohet në gjykatë, jo në rrugë” – përfundoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *