Sytë e shiptarit – një rrëfim i vërtetë për një njeri
Nga: Nermin Sharan [Šaran] Përktheu: Agron Shala
Do të flas për një njeri të cilin askush nuk e vinte re, të cilin ndoshta disa e kujtojnë, por të cilin një fëmijë, UNË, nuk e harroi kurrë.
Disa njerëz që kalojnë nëpër jetën tonë pa lënë asgjë pas përveç një shikimi, prandaj ia vlen të shkruhet për ta, për hir të gjurmës. Nuk e di se prej nga vinin, te kush ktheheshin, nëse kishin fëmijë, nëse i priste ndonjëherë ndonjë shtrat i ngrohtë dhe ndonjë përqafim. Nuk e dimë as ku përfunduan eshtrat e tyre. E, megjithatë, mbeten brenda nesh më gjatë se shumë të tjerë të cilët i kemi njohur dhe dashur.
Një njeri i tillë quhej Radakul.
Isha shtatë, ndoshta tetë vjeç, kur e mbajta mend për herë të parë. Ndodhi në Trebinjë, përpara shitores së tekstilit të cilin i gjithë qyteti e quante Dyqani i Perës.
Aty, pothuajse çdo mëngjes, qëndronin rreth dhjetë shqiptarë. Me sëpata, sharra dhe vegla të tjera prisnin që dikush t’i thërriste për të çarë ose sharruar dru, për të bartur ndonjë barrë, për të bërë atë që për të tjerët ishte e vështirë ose nën dinjitetin e tyre. Të punosh, për disa, është e padinjitetshme.
Qëndronin nën atë diell të Hercegovinës që nuk të ngroh, por të përvëlon, ndërsa kur binte shi, lageshin nën po atë qiell; për ta nuk kishte as hije, as çati, as shtëpi, as dorë të ngrohtë për të shtrënguar.
Ishin të thatanikë, të tretur, me duar të vrazhda nga puna dhe me fytyra ku vitet linin shumë më shpejt gjurmë sesa në fytyrat e njerëzve të tjerë.
Ne, fëmijët, kalonim pranë tyre pa kuptuar pothuajse asgjë. Të rriturit i quanin “shiptarë” [šiptari, emërtim fyes – shën. i përkth.]. Kështu thuhej, kalimthi, pa menduar, sikur kjo mjaftonte për të thënë për një njeri gjithçka që duhej ditur.
Askush nuk na ka mësuar se pas asaj fjale është nëna e dikujt, fëmijëria e dikujt, një shtëpi e largët dhe ndoshta dikush që çdo ditë priste që ai të kthehej.
Nuk e di pse pikërisht atë e mbajta mend.
Ndoshta sepse ishte më i heshturi.
Ndoshta sepse qëndronte gjithmonë pak i kërrusur, si një njeri që ishte përkulur aq shumë herë nën barrën e të tjerëve, saqë nuk dinte më as të drejtohej krejtësisht.
Ose ndoshta për shkak të syve të tij. Nuk e di.
Ata sy i mbaj mend më mirë se fytyrat e shumë njerëzve që njoha më vonë.
Ishin të lodhur, të pikëlluar, disi të futur thellë në fytyrë, por jo të shuar. Në ta nuk kishte as zemërim, as qortim. Vetëm njëfarë pajtimi i heshtur, i tmerrshëm me jetën, të cilin një fëmijë – siç isha unë atëherë – nuk di ta kuptojë, por, për ndonjë arsye, e dallon.
Radakuli nuk fliste shumë.
Kur e thërriste dikush, ngrinte veglat dhe nisej. Pa bërë pazar, pa pyetur sa do të zgjaste puna, pa atë siguri njerëzore se mundi i tij vlente të paktën aq sa mundi i të tjerëve.
Punonte nga mëngjesi deri në mbrëmje.
Çante drutë e fortë të Hercegovinës, kërruste shpinën, ngrinte dhe bartte. Djersa ia bënte qull këmishën, pluhuri i ngjitej në fytyrë, ndërsa duart, tashmë të lënduara, vazhdonin të punonin; ndoshta nuk ishin bashkuar kurrë as për lutje. Tepër krenare, bartnin barrën.
Për atë ditë merrte një tas çorbë, një copë buke dhe ca para të imëta, banka [qindarkat në ish-Jugosllavi – shën. i përkth.] të verdha.
Me sa duket, aq vlente një ditë e tij.
Aq vlenin forca e tij, uria e tij, koha e tij, jeta e tij.
Por, ishte njeri i fortë. E mbaj mend atë forcë. Nuk ishte ajo forcë me të cilën njeriu mburret, por ajo forca e fundit, e rëndë, e njerëzve të cilët nuk kanë të drejtë të jenë të ligështuar.
Sot mendoj se Radakuli nuk kishte frikë nga puna e rëndë. Ndoshta kishte frikë se të nesërmen nuk do ta thërriste askush.
Sepse për atë që ka pak, edhe puna më e rëndë mund të jetë mëshirë. Nuk më kujtohet nëse kam biseduar ndonjëherë me Radakulin.
Kjo sot më dhemb më shumë sesa do të mund t’ia shpjegoja vetes.
Mund ta kisha pyetur prej nga ishte. Nëse kishte fëmijë. Cili ishte emri i tij i vërtetë. Nëse e kishte të ftohtë kur lagej në shi para shitores. Pse ishte aty, larg të vetëve.
Dhe, fëmijët e pranojnë botën ashtu siç ua shfaqin të rriturit.
Atëherë nuk e dija se njeriu mund të poshtërohet edhe pa e goditur. Se padrejtësia mund të bëhet me një zë krejt të zakonshëm, kalimthi, teksa bëhet pazari për çmimin për sharrimin e druve. Se fatkeqësia e dikujt mund të shihet çdo ditë, aq gjatë sa të pushojë së dukuri si fatkeqësi.
Nuk e dija as se varfëria nuk është vetëm barku bosh.
Varfëri është edhe kur qëndron para të tjerëve dhe ata shohin vetëm sharrën tënde, sëpatën tënde, duart e tua. Kur u duhet forca jote, por nuk u intereson shpirti yt.
Kur je i nevojshëm për të gjithë, por i rëndësishëm për askënd.
Kështu qëndronte Radakuli para Dyqanit të Perës, ditë pas dite, duke pritur që dikush t’i jepte punë.
Sepse edhe në atë mjerim ruante gjënë e fundit që i kishte mbetur – dinjitetin e njeriut që e fiton bukën e vet.
Prandaj, ndoshta ishte aq i heshtur.
Ekziston heshtja e atyre që nuk kanë çfarë të thonë, por ekziston edhe heshtja e atyre që e kanë kuptuar tepër herë se askush nuk i dëgjon.
Më duket se [heshtja] e Radakulit ishte kjo e dyta.
Kaluan vitet. Shumë [vite].
Fëmijëria u tërhoq, disa shitore u zhdukën, ndryshuan rrugët, fytyrat dhe shtetet. Njerëzit u shpërndanë nëpër botë, ndërsa ajo që dikur na dukej e përjetshme doli të ishte më kalimtare se jeta e një njeriu.
Erdhën urrejtjet që mendonim se i përkisnin së kaluarës.
Erdhën kufijtë atje ku dikur kishte rrugë.
Dhe, pastaj, shumë vite më vonë Kosova u nda.
E ne e pyesnim veten pse.
Pyesnim veten si ishte e mundur që njerëzit të largoheshin kaq shumë nga njëri-tjetri. Pse nuk donin më të jetonin së bashku. Prej nga ky mosbesim i madh, hidhërim i madh, dëshira e madhe që secili të shkonte në anën e vet.
Dëgjoja fjalë të mëdha. Histori. E drejta. Shteti. Populli. Territori. Drejtësia.
Sot e di se përgjigjet janë të ndërlikuara dhe se asnjë fat njerëzor nuk mund ta shpjegojë tërë historinë.
Por, ndërsa të tjerët flisnin për kufijtë, mua, nga një pjesë e thellë dhe prej kohësh e mbyllur e kujtesës, më ktheheshin sytë.
Të atij shqiptari të heshtur që priste para Dyqanit të Perës që t’ia sharronte dikujt drutë.
Dhe, mendova se popujt nuk distancohen vetëm në udhëkryqe të mëdha historike.
Distancohen shumë më herët.
Atëherë kur njeriu pushon së pari te njeriu tjetër një të barabartë me veten.
Kur emri i tij bëhet më pak i rëndësishëm se prejardhja.
Kur vuajtjen e tij e pranojmë si diçka të natyrshme, pothuajse të merituar.
Kur na duhet shpina e tij, por sytë e tij nuk na thonë asgjë.
Nuk e di nëse Radakuli ka menduar ndonjëherë për Kosovën, për shtetet, për kufijtë. Ndoshta për të e gjithë politika e botës ishte më pak e rëndësishme se pyetja nëse atë ditë do të fitonte diçka dhe do të kishte diçka për të ngrënë.
Nëse një njeri, për vite me radhë, duhet të lutet që t’i njihet vlera e punës së tij, nëse duhet t’i përpijë poshtërimet për të mbijetuar, nëse populli i tij përmendet me përçmim, atëherë nuk duhet të habitemi nëse një ditë, diku, mes njerëzve ngrihet një mur.
Muret nuk ndërtohen vetëm me gurë.
Ndërtohen prej shikimeve që poshtërojnë, prej fjalëve që fyejnë, prej indiferencës që zgjat së tepërmi.
Dhe, rrëzohen shumë më vështirë sesa ngrihen.
Sot do të jepja shumëçka që ta takoja edhe një herë Radakulin.
Jo për ta pyetur për Kosovën.
Jo për t’i folur për historinë.
Por, për t’u ulur pranë tij, diku në hije, për t’ia sjellë një tas çorbë dhe një bukë të tërë, për ta parë në sy dhe për ta pyetur si është.
Për t’i thënë se një djalë, që kaq shumë vite më parë kalonte pranë Dyqanit të Perës, e mbajti mend fytyrën e tij.
Se puna e tij nuk u zhduk krejtësisht bashkë me tallashin të cilin era e shpërndante nëpër rrugët e Trebinjës. Se jeta e tij, sado modeste dhe e pavërejtur, nuk kaloi pa lënë gjurmë.
Dhe se dikush, shumë më vonë, kur edhe vetë ishte plakur, kishte filluar ta kuptonte.
Ndoshta Radakuli vetëm do të buzëqeshte lehtë.
Ndoshta do ta ulte shikimin, si dikur, dhe do të bënte me dorë, pa e kuptuar pse ishte kaq e rëndësishme ajo që për të kishte qenë vetëm mbijetesë e përditshme.
Dhe, unë do t’i thosha se pikërisht njerëzit e tillë janë borxhi më i madh i kujtesës sonë.
Jo mbretërit, jo komandantët ushtarakë, jo ata që lëvizën kufijtë dhe vendosin emrat e tyre në libra.
Por, ata që gjithë jetën e bartën barrën e të tjerëve dhe kurrë nuk iu bënë barrë askujt me urrejtjen e tyre.
Nuk e di ku dhe kur vdiq Radakuli.
Nuk e di nëse ka varr dhe nëse i shkon dikush aty.
Ndoshta prehet diku në Kosovë, nën një gur ku është shkruar emri i tij. Ndoshta është varrosur larg vendlindjes. Ndoshta prej tij ka mbetur vetëm pak dhé dhe kujtimi i dikujt që e ka dashur.
E, ndoshta, pra, edhe kujtimi i një djali nga Trebinja.
Atij që ishte shtatë ose tetë vjeç dhe nuk e kuptonte botën, por i mbajti mend sytë e një njeriu të përvuajtur.
Tani, kur edhe vetë kam kaluar shumë vite, e di se ata sy më mësuan diçka që nuk mund ta mësoja nga asnjë libër historie.
Se asnjë tokë nuk është aq e shenjtë sa të lejohet që qenia njerëzore të poshtërohet mbi të.
Dhe se asnjë flamur nuk mund ta mbulojë turpin nëse nën të nuk e shohim njeriun.
Prandaj, sa herë që hapet fjala për Kosovën, më kujtohet Radakuli.
Jo si përgjigje për të gjitha pyetjet, por si një pyetje që e kemi shmangur tepër gjatë.
A e kemi parë ndonjëherë, vërtet, njeriun para nesh?
Të qoftë dheu i lehtë, Radakul.
Dhe e kujtdo qoftë ajo tokë.
Sepse ajo që të pranoi brenda vetes, me siguri nuk të pyeti si quheshe, çfarë gjuhe flisje dhe cilit popull i përkisje.
Më në fund, vetëm të la të pushoje.
Unë do të lutem për shpirtin e tij, ndërsa ju që e mbani mend mund të thoni AMIN; ndoshta nuk ju është dashur kurrë forca e tij, por për hir të syve të tij që morën pamjet e shëmtuara nga kjo botë. E, megjithatë, ishin njerëzorë. /Telegrafi/
