TË FUNDIT

Sulm brutal ndaj turistëve izraelitë në Budva, njërit i thyhet nofulla

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin bregdetar të Budvës në Mal të Zi, ku një grup turistësh nga Izraeli kanë rënë pre e një sulmi fizik të paprovokuar nga një grup i madh të rinjsh.
Sipas informacioneve të bëra publike, incidenti ka ndodhur ditën e shtunë.

Një prej personave të prekur, në një rrëfim për televizionin publik izraelit KAN News, ka përshkruar momentet e tmerrit, duke theksuar se sulmi ndodhi befasisht dhe pa asnjë konflikt paraprak mes palëve.

Sipas dëshmisë së viktimës, gjithçka nisi me ofendime verbale nga ana e grupit të të rinjve, numri i të cilëve llogaritet të jetë mbi dhjetë persona. Situata përshkallëzoi shpejt në dhunë fizike, ku turistët u goditën me shkelma, ndërsa agresorët përdorën edhe karriget e lokalit si mjete për t’i sulmuar.

Autoritetet lokale ende nuk kanë dalë me një njoftim zyrtar të detajuar mbi masat e marra apo mbi identifikimin e autorëve, ndërsa ky incident ka ngritur shqetësime lidhur me sigurinë e vizitorëve gjatë sezonit të pikut turistik në bregdetin malazez.(INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *