“Specialja nuk e njollosi UÇK-në” – Qarri kritikon PDK-në për kushtëzimet në Kuvend
Analisti politik Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, situatën e krijuar pas këtij vendimi, protestat kundër Speciales, si dhe zhvillimet politike në Kuvendin e Kosovës.
Qarri ka thënë se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara, sipas tij, nuk e ka atakuar apo njollosur UÇK-në si organizatë, por është kufizuar në përgjegjësinë individuale të personave të dënuar.
“Gjykata Speciale duke u kufizuar vetëm në dënime të individëve për krime të kryera personale, pa atakuar as njollosur me asnjë fjalë të vetme në aktgjykim UÇK-në-si organizatë, fatmirësisht respektoi në plotëni edhe opinionin pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi pro pavarësisë së Kosovës, si organi më i lartë juridik i OKB-së, si dhe dëshmoi katërçipërisht që ajo u është përmbajtur pikë për pikë, parimeve të të drejtës ndërkombëtare, se lufta e popullit të Kosovës për liri kundër okupatorit gjenocidal serb, ishte legjitime dhe me karakter historik, si çdo luftë tjetër çlirimtare e popujve të pushtuar, kudo në botë!”, ka deklaruar Qarri.
ImageGani QarriFoto galeri
Ai ka theksuar se në këtë rast duhet bërë dallimi mes përgjegjësisë individuale të personave të dënuar dhe luftës së UÇK-së në tërësi.
“Në fakt është drejtësia në Kosovë, ajo që tash e mbi dy dekada vendnumëron dhe nuk ka guxuar kurrë apo gati asnjëherë, të nxjerrë vendime dënuese, pa ndihmën e ndërkombëtarëve, ndaj gangsterëve dhe kriminelëve, veçanërisht për veprat më të rënda penale, duke lënë të pazbardhura pothuajse të gjitha vrasjet e pasluftës, deri te fajdet dhe gjobvëniet mafioze të lidhura me politikën, të cilat kanë quar shqiptarët e pambrojtur edhe në vetëvrasje, ndaj është koha e fundit, që Kosova këtë pjesë të gjyqësisë, ta delegojë në vendet perëndimore, përndryshe derisa të ‘plotfuqishmit’ dhe të ‘paprekshmit’ nga ligji, kërkojnë llogari edhe për dënimet e bazuara kriminale jashtë Kosove, nuk ka shpresë se sistemi gjyqësor në Kosovë, do të jetë ndonjëherë në gjendje të veprojë kundër tyre dhe të vendos drejtësi për të gjithë, pa dallim”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Qarri ka përmendur edhe disa eksponentë të PDK-së dhe AAK-së, për të cilët ka bërë pretendime të drejtpërdrejta.
“Fakt i cili po bënë që edhe tek shqiptarët gjithnjë e më tepër, të betonizohet bindja se disa eksponent të PDK-së dhe AAK-së, përveç tjerash janë kthyer në rrezik akut, jo më, vetëm për krijimin e institucioneve por edhe për stabilitetin e vendit dhe mbarëvajtjen e shtetit të Kosovës, ndaj nëse AKI, ligji e drejtësia në Kosovë, nuk janë në gjendje të veprojnë urgjentisht kundër tyre, drejtësisë në Kosovë, nuk do të mund ti besojë askush më dhe teoria evropiane se vendimet dënuese ndaj personave me padi penale për kryerjen e veprave të rënda kriminale, mund të ndërmerren, vetëm nëse gjykatat e Kosovës, për këtë pjesë të gjykimeve, vendosen në ndonjë vend evropian, tanimë po bëhet realitet i pamohueshëm edhe te qytetarët në Kosovë”, është shprehur Qarri.
Sipas tij, fillimisht duhet të përfundojë konstituimi i Kuvendit, përfshirë zgjedhjen e nënkryetarit të mbetur nga radhët e PDK-së.
“Edhe sa i takon Kuvendit, vendimi eksplicit i Gjykatës Kushtetueses është i qartë dhe kuptimplotë, për të gjithë, edhe për PDK-në, se ashtu siç ceket në vendimin e kushtetueses, fillimisht duhet të kompletohet konstituimi i Kuvendit duke u zgjidhur edhe nënkryetari i mbetur nga radhët e PDK-së, gjë që bie drejtpërsëdrejti ndesh me kërkesën e PDK-së, që projektligji për Dhomat e Specializuara të jetë pika e parë e rendit të ditës, ende pa u konstituuar dhe kompletuar me të gjithë nënkryetarët Legjislativi i dalë nga zgjedhjet e fundit”, ka deklaruar ai.
Tutje, Qarri ka thënë se një Kuvend i pakompletuar nuk mund të jetë mekanizmi për ndryshimin e vendimit të Dhomave të Specializuara.
“Vendimin e Gjykatës Speciale nuk mund ta ndryshojë një Kuvend i pa kompletuar, nëse ai shkaku i PDK-së nuk mund të konstituohet në plotëni, ndërsa shpresa e vetme juridike dhe institucionale, siç është sqaruar tanimë-mijëra herë, mbetet Gjykata e Apelit e cila mund ti rregullojë padrejtësitë dhe paqartësitë, nëse ato vërtetë kanë ndodhur në Dhomat e Specializuara”, ka thënë Qarri.
Ai ka insistuar se kompletimi i Kuvendit është i domosdoshëm për funksionimin e tij.
“Prandaj në mënyrë që Kuvendit të konsiderohet i konstituuar dhe të jetë ligjërisht funksional me fuqi të marrjes së vendimeve edhe sa u takon kërkesave të PDK-së lidhur me Gjykatën Speciale, kushtetuesja kërkon kompletimin e tij të menjëhershëm me të gjithë nënkryetarët, eksplicit nënkryetarin e munguar nga pdk”, ka deklaruar ai.
Po ashtu, Qarri ka kritikuar qëndrimet e disa figurave të PDK-së, duke i lidhur ato me vazhdimin e krizës institucionale në vend.
“Është fakt se fajtorët që tash e mbi dy vite, po pengojnë krijimin e institucioneve të vendit, nuk janë vetëm papajtueshmëritë ‘politike’ për zgjedhjen e presidentit të shtetit, por dhe qëndrimet ekstreme të disa figurave të PDK-së, për mosbashkëpunim me institucionet legjitime dhe kryeministrin Kurti, parti e cila edhe në gjendjen aktuale jo vetëm se bënë lojëra të ulëta politike, por ka luksin ti vendos kushte edhe legjislativit duke pamundësuar zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve dhe konstituimin komplet të Kuvendit, kur dihet mirëfilli se pa konstituim të plotë, Kuvendi nuk ka fuqi vendimmarrëse si institucion legjislativ”, ka thënë ai.
Sipas Qarr-it, kërkesa e PDK-së për Projektligjin e Dhomave të Specializuara mund të sjellë edhe një tjetër përplasje politike në Kuvend.
“Një ‘mosmarrëveshje’ dhe kushtëzim i shpifur si ky i PDK-së, nuk është i rastësishëm, as i paparamenduar -paraprakisht mirë, por një akt i shpikur enkas nga figurat ekstreme të PDK-së, me qëllimin që të rrezikohet seriozisht zgjatja e krizës dhe vazhdimi i ngërçeve politike, për ta lënë vendin sa më gjatë pa institucione dhe shtetin e Kosovës pa qeverisje të qëndrueshme”, është shprehur Qarri.
Analisti është ndalur edhe te protestat kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara, duke thënë se ato nuk duhet të shndërrohen në instrument presioni ndaj institucioneve të Kosovës.
“Protestat kundër dënimeve të Speciales nuk guxojnë të keqpërdoren për presion në Kuvend as të shndërrohen në rrezik për stabilitetin e shtetit, për veprime kundër Qeverisë e të Kuvendit, apo dhe të shfrytëzohen për presion politik ndaj Qeverisë Kurti, sepse Kuvendi në konstituim as Qeveria aktuale, nuk janë përgjegjës për themelimin e Speciales as të dënimeve që Dhomat e Specializuara më 16 shtator kanë shqiptuar ndaj 4 të akuzuarve në Hagë”, ka deklaruar Qarri.
Ai ka thënë se aktgjykimi duhet të trajtohet si çështje juridike dhe se përgjegjësia e përcaktuar në vendim nuk duhet të zgjerohet përtej personave të dënuar.
“Në fakt Gjykata Speciale përkundër presionit të vazhdueshëm të Prokurorisë në Hagë, ka rrëzuar hiq më pak se gjashtë akuza ndaj të dënuarve për ‘krime kundër njerëzimit’, ndaj përgjegjësia individuale, nuk guxon të glorifikohet, të tjetërsohet, ngjyroset as ‘mbiemërohet’, nga element turbullues, gjoja si akt për njollosjen e luftës tonë të drejtë dhe UÇK-së, ngase qysh ditën e marrjes së vendimeve dënuese vet Dhomat e Specializuara, kanë sqaruar publikisht, se nuk është akt dënues për luftën tonë të shenjtë për liri as dënimin e UÇK-së, por dënon individ të caktuar, të cilët janë gjetur fajtor për krime personale”, ka thënë ai.
Më tej, Qarri ka vlerësuar se çdo pretendim për padrejtësi apo paqartësi në aktgjykim duhet të adresohet përmes rrugëve juridike.
“Dënimet e shqiptuara nga Gjykata Speciale mbeten të shqyrtohen me kujdes të veçantë me kërkesën juridike dhe institucionale drejtuar Gjykatës së Apelit, në mënyrë që të mos mbeten prapa dyshime për gjykim të padrejtë apo veprime të njëanshme, akt të cilin do ta bëjë Qeveria Kurti dhe votoj Kuvendi, vetëm nëse ai kompletohet me të gjithë nënkryetarët përfshi nënkryetarin e munguar nga radhët e PDK-së, ashtu siç e kërkon edhe kushtetuesja me vendimin e saj më të fundit dhe Kuvendi nuk vazhdon të bllokohet nga PDK & CO, si deri më tani”, ka deklaruar Qarri.
Në fund, ai ka paralajmëruar se nëse partitë politike nuk pajtohen për rendin e ditës dhe konstituimin e Kuvendit, vendi mund të përballet me një tjetër ngërç politik.
“Kërkesë e cila mund të kundërshtohet edhe nga partitë e tjera, dhe nëse ato nuk e mbështesin Projektligjin e PDK-së, atëherë rrezikon serish të futet Kuvendi edhe në një tjetër ngërç politik, që është skenari më shqetësues nëse këto 13 ditë kalojnë pa një marrëveshje politike për konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e presidentit dhe garantimin e qeverisjes stabile të shtetit, gjë që vërtet është plotësisht e papranueshme dhe akt për çdo dënim nga të gjitha partitë dhe qytetarët e Kosovës”, ka përfunduar ai.
