MPB: Qytetarët të kenë kujdes ndaj mashtrimeve me gjoba të rreme nga sistemi “Safe City”
Ministria e Punëve të Brendshme paralajmëron qytetarët për shtimin e mesazheve mashtruese përmes SMS-ve, postës elektronike dhe rrjeteve sociale, me të cilat kërkohet pagesë për gjoja kundërvajtje në trafik të regjistruara nga sistemi “Safe City”. Sipas MPB-së, bëhet fjalë për tentativa mashtrimi përmes phishing-ut, ku qytetarëve u dërgohen mesazhe dhe lidhje të rreme, me qëllim që ata të hyjnë në faqe interneti dhe të japin të dhënat personale dhe bankare.
“Bëhet fjalë për tentativa të mashtrimeve përmes mesazheve dhe lidhjeve të rreme, me të cilat qytetarëve u kërkohet të hyjnë në faqe interneti dhe të vendosin të dhënat personale dhe bankare, me qëllim keqpërdorimin e tyre”, njoftojnë nga MPB-ja. Ministria apelon që qytetarët të mos hapin lidhje të dyshimta, të mos japin të dhënat e kartelave bankare, fjalëkalimet apo informacione të tjera personale në faqe të paverifikuara dhe të mos kryejnë pagesa përmes lidhjeve të pranuara në mesazhe të dyshimta.
MPB-ja rikujton se njoftimet zyrtare me SMS për kundërvajtjet në trafik nga sistemi “Safe City” dërgohen nga dërguesi “MVR-SC”, përmbajnë detyrimisht targat e automjetit me të cilin është kryer kundërvajtja dhe lidhja të dërgon në faqen zyrtare:safecountry.mvr.gov.mk
Ndërkohë, Sektori për Krim Kompjuterik në kuadër të MPB-së po ndërmerr masa dhe aktivitete për zbulimin dhe ndëshkimin e autorëve të këtyre mashtrimeve./Telegrafi/
