TË FUNDIT

Sinani e Kamberi në takimet e Kurtit në SHBA, publicisti: Ky është momenti i ri për Luginën

Gjatë kësaj jave, kryetaria e Preshevës, Ardita Sinani, dhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ishin pjesë e delegacionit të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Nju Jork, ku zhvilluan një sërë takimesh me përfaqësues ndërkombëtarë.

Në këto takime, në fokus ishin edhe çështjet dhe shqetësimet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përfshirë përfaqësimin institucional, pasivizimin e adresave, arsimin në gjuhën shqipe, mosnjohjen e diplomave të Kosovës dhe pozitën e shqiptarëve në institucionet e Serbisë.

Për këto zhvillime dhe rëndësinë që ato mund të kenë për ndërkombëtarizimin e çështjes së Luginës, publicisti Nehat Hyseni, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se kjo hapësirë po hyn në një moment të ri politik, diplomatik dhe institucional.

ImageNehat HyseniFoto galeri
“Lugina e Preshevës – Presheva, Bujanoci dhe Medvegja – po hyn në një moment të ri politik, diplomatik dhe institucional. Pyetja që shtrohet sot nuk është më vetëm nëse problemet e shqiptarëve të kësaj hapësire njihen nga institucionet e Kosovës, Shqipërisë, Serbisë apo nga faktorët ndërkombëtarë. Pyetja më e rëndësishme është nëse këto probleme po kalojnë nga niveli i ankesave dhe deklaratave politike në një fazë të re të ndërkombëtarizimit të qëndrueshëm, institucional dhe të dokumentuar.

Takimet e shtatorit 2026 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku në kuadër të vizitës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti morën pjesë edhe kryetaria e Preshevës Ardita Sinani dhe deputeti Shaip Kamberi, e kanë vendosur sërish Luginën në tryeza ku diskutohen çështje të sigurisë, të drejtave të njeriut, përfaqësimit politik dhe marrëdhënieve euroatlantike”, ka thënë ai.

Po ashtu, Hyseni është ndalur edhe te takimi me kongresmenin amerikan Joe Wilson, ku sipas tij janë trajtuar disa prej çështjeve kryesore që prekin shqiptarët e Luginës.

“Në takimin me kongresmenin amerikan Joe Wilson, sipas njoftimit të Kryeministrisë së Kosovës, vëmendje e veçantë iu kushtua pozitës së shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës: përfaqësimit të tyre në administratën publike, polici, drejtësi dhe shëndetësi, pasivizimit të adresave, arsimit në gjuhën shqipe dhe mosnjohjes së diplomave të Kosovës. Po aty u kërkua që këto çështje të trajtohen edhe në Komisionin e Helsinkit dhe në komunikimet me Beogradin.

Kjo nuk është më vetëm një çështje e politikës lokale. Ajo po kërkon të bëhet çështje e politikës së jashtme, e diplomacisë parlamentare dhe e mekanizmave ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut. Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e momentit!”, ka theksuar ai.

Sipas Hysenit, për ta shndërruar çështjen e Luginës në një agjendë më të qëndrueshme ndërkombëtare, nevojitet më shumë se mbështetja politike dhe simbolike.

“Shtetet e Bashkuara kanë luajtur historikisht rol të rëndësishëm në arkitekturën e sigurisë së Ballkanit dhe në zhvillimet që lidhen me Kosovën. Për shqiptarët e Luginës, marrëdhënia me SHBA-në ka edhe një dimension të veçantë politik dhe emocional. Mirëpo, nëse synohet që çështjet e Luginës të fitojnë peshë reale ndërkombëtare, nuk mjafton vetëm mbështetja emocionale ndaj Amerikës. Nevojitet argument, dokumentacion, statistikë, koordinim institucional dhe diplomaci e vazhdueshme. Kjo është sfida e re!”, ka shtuar ai.

Gjithashtu, Hyseni ka vënë theksin edhe te nevoja për dokumentimin e vazhdueshëm të problemeve me të cilat përballen shqiptarët në Luginë.

“Në vend të një politike që aktivizohet vetëm kur ndodh një krizë, Lugina ka nevojë për një politikë të qëndrueshme të dokumentimit dhe komunikimit ndërkombëtar. Pasivizimi i adresave, për shembull, nuk duhet të mbetet vetëm një akuzë politike. Duhet të shoqërohet me të dhëna: sa persona janë prekur, në cilat komuna, çfarë pasojash juridike kanë pasur, sa raste janë ankimuar dhe çfarë vendimesh kanë dhënë institucionet kompetente? Në raportin amerikan për të drejtat e njeriut në Serbi për vitin 2023, përfaqësuesit shqiptarë raportohej se kishin ngritur shqetësime për pasivizimin dhe përfaqësimin disproporcional, ndërsa raporti përmendte gjithashtu mungesën e përparimit të mjaftueshëm në zbatimin e Planit Shtatëpikësh të OSBE-së për adresimin e problemeve të komunitetit shqiptar. Pra, disa prej problemeve të Luginës tashmë janë pjesë e dokumentimit ndërkombëtar. Detyra e politikës shqiptare është që këtë dokumentim ta shndërrojë në politikë të koordinuar dhe në rezultate të matshme”, ka përmendur ai.

Tutje, Hyseni e ka cilësuar të rëndësishme pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Luginës në takimet diplomatike, duke argumentuar se përfaqësimi duhet të zhvillohet në disa nivele.

“Prania e Ardita Sinanit dhe Shaip Kamberit në këtë hapësirë diplomatike është domethënëse edhe për një arsye tjetër. Lugina nuk mund të përfaqësohet vetëm nga institucionet e Prishtinës apo Tiranës. Ajo duhet të ketë edhe zërin e vet politik, institucional dhe qytetar. Ardita Sinani, si kryetare e Komunës së Preshevës, përfaqëson një institucion lokal që përballet drejtpërdrejt me problemet e përditshme të qytetarëve. Kurse Shaip Kamberi, si deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë, përfaqëson një dimension tjetër: zërin parlamentar brenda sistemit politik të Republikës së Serbisë. Ndërsa Kosova sjell dimensionin shtetëror dhe diplomatik të Prishtinës.

Këto tri nivele – lokal, parlamentar dhe shtetëror – mund të krijojnë një arkitekturë më të fuqishme të përfaqësimit të Luginës. Por kjo kërkon koordinim! Sepse një nga dobësitë historike të politikës shqiptare në Luginë ka qenë fragmentarizimi i energjive politike. Takimet ndërkombëtare nuk duhet të shndërrohen në gara se kush e përfaqësoi më shumë Luginën. Ato duhet të prodhojnë një platformë të përbashkët të kërkesave”, ka thënë ai.

Në fund, Hyseni ka kërkuar që çështja e shqiptarëve të Luginës të trajtohet në kuadër të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe mosdiskriminimin.

“Ndërsa SHBA-ja, BE-ja, OSBE-ja dhe institucionet e tjera evropiane duhet të vazhdojnë ta shohin pozitën e shqiptarëve të Luginës në kuadër të standardeve të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe mosdiskriminimit. Lugina e Preshevës nuk ka nevojë vetëm për më shumë vëmendje. Ajo ka nevojë për më shumë drejtësi institucionale. Nuk ka nevojë vetëm për deklarata, por ka nevojë për zbatim! Nuk ka nevojë vetëm për solidaritet, por ka nevojë për strategji! Dhe mbi të gjitha, ka nevojë që zëri i saj të dëgjohet jo vetëm në Prishtinë, Tiranë e Beograd, por edhe në Uashington, Bruksel, Strasburg dhe në të gjitha qendrat ku përcaktohen standardet demokratike dhe të të drejtave të njeriut në Evropë.

Nëse ky proces institucionalizohet, dokumentohet dhe mbështetet nga një platformë e përbashkët politike shqiptare, atëherë vizita e shtatorit 2026 mund të kujtohet jo thjesht si një seri takimesh diplomatike, por si një moment në të cilin çështja e shqiptarëve të Luginës fillon të kërkojë një vend më të qëndrueshëm në agjendën euroatlantike të Ballkanit”, ka përfunduar Hyseni për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *