POLITIKATË FUNDIT

Si po i blen votat partia e Vuçiqit, flet ish-anëtari i SNS-it?

Në një intervistë për BIRN-in, Momçillo Marjanoviq, një ish-aktivist shumëvjeçar i Partisë Progresive Serbe (SNS) të Serbisë, ka folur për organizimin dhe pagesën e grupeve të personave që, sipas tij, angazhoheshin për të ruajtur zyrat e partisë në pushtet, për të shkaktuar incidente në protesta dhe për të ushtruar presion ndaj votuesve.

Marjanoviq, 54-vjeçar nga Novi Sadi, tha se për më shumë se dhjetë vjet ishte aktiv në SNS dhe se kishte marrë pjesë në aktivitete të ndryshme të organizuara nga kjo parti.

Sipas rrëfimit të tij, detyra e tij ishte t'i udhëhiqte grupet e personave të angazhuar drejt vendeve ku mundësia për përplasje ishte më e madhe, veçanërisht në tubimet ku merrnin pjesë studentët dhe opozita, shkruan N1 .

Pagesat për votat dhe protestat

Marjanoviq pretendoi se kishte qenë dëshmitar i blerjes së votave dhe se ai dhe personat që angazhonte merrnin para për të kontaktuar votuesit e konsideruar si të sigurt për partinë dhe për t'i nxitur ata të dilnin në zgjedhje.

“Zakonisht ishin 100 euro, por tani po dëgjoj se japin shumë më tepër. Kam dëgjuar se japin 400 deri në 500 euro për një votë”, deklaroi ai.

Sipas tij, udhëzimet dhe paratë në dorë i merrte drejtpërdrejt nga Nenad Barac, drejtor i ndërmarrjes publike “Novosadska Toplana”. Marjanoviq pretendoi se paratë i merrte në zyrën e drejtorit, ndërsa, kur ai nuk ishte i pranishëm, i prisnin te sekretarja e tij.

– YouTube www.youtube.com

Ish-aktivisti vlerësoi se, që nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024, kishte marrë personalisht nga kjo ndërmarrje publike rreth 350 mijë deri në 400 mijë euro.

Barac refuzoi t'u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve për pretendimet lidhur me pagesat ndaj aktivistëve të SNS-së në ambientet e ndërmarrjes që drejton.

Pretendimet për armë në “Çacilend”

Marjanoviq foli edhe për qëndrimin e tij në parkun Pionirski në Beograd, përballë ndërtesës së Presidencës së Serbisë, zonë e njohur si “Çacilend”, ku qëndronin përkrahës të pushtetit.

Ai tha se kishte kaluar më shumë se dy javë në këtë hapësirë para protestës së madhe studentore të 15 marsit 2025 dhe se kishte udhëhequr një grup personash të angazhuar për të mbrojtur zonën.

Sipas rrëfimit të tij, disa persona në park mbanin armë zjarri, ndërsa në dispozicion të grupeve kishte edhe sprej, shkopinj dhe maska.

Marjanoviq pretendoi gjithashtu se në disa protesta ishin angazhuar persona që futeshin mes demonstruesve për të shkaktuar incidente dhe përplasje me policinë, me qëllim që përgjegjësia për dhunën t'u atribuohej studentëve.

Ai tha se kishte marrë pjesë edhe në tubime në Baçka Palankë, Baçka Petrovac dhe Novi Sad, ku grupet e tij, sipas tij, kishin detyra të lidhura me sigurimin e objekteve partiake dhe përfshirjen në situata të tensionuara.

Ish-aktivisti pretendoi se kishte marrë për vite me radhë pagë edhe nga ndërmarrja komunale “Lisje” në Novi Sad, ndonëse, sipas pranimit të tij, nuk kishte shkuar asnjëherë në punë.

Ai e përshkroi këtë si një mënyrë përmes së cilës kompensohej për aktivitetet në shërbim të partisë.

Marjanoviq tha se marrëdhëniet e tij me SNS-në u përkeqësuan pasi filloi të refuzonte detyrat që i caktoheshin. Ai pretendoi se më pas kishte marrë kërcënime dhe se në maj kishte denoncuar në polici një sulm ku, sipas tij, ishin përfshirë Bojan Mihajlloviq, ish-luftëtar i MMA-së dhe aktivist i SNS-së, si dhe bashkëpunëtori i tij, Vladimir Zukiq.

Të dy refuzuan t'u përgjigjeshin pyetjeve të BIRN-it dhe mohuan se e njihnin Marjanoviqin. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *