POLITIKATË FUNDIT

Shqiptarët e Maqedonisë kanë nevoj për solidaritet dhe asnjëherë për përçmim

Shkruan: Sead Zimeri

Shqiptarët e Maqedonisë kanë problemet e tyre, por e pakta që meritojnë nga shqiptarët jashtë Maqedonisë nuk është përçmimi pse nuk jetojnë si qenie plotësisht të lira, por solidariteti me ta. Përndryshe, të flasim për kombin dhe kombëtarizmin, ndërkohë që vazhdimisht përpiqemi të krijojmë shkallëzime dhe sisteme kastash ndër shqiptarë, është një patologji që kombi shqiptar nuk duhet ta tolerojë në asnjë mënyrë.

Ndoshta një pjesë e problemit qëndron pikërisht këtu: shqiptarët e Maqedonisë janë bërë “tjetri” i disa shqiptarëve jashtë Maqedonisë. Prej vitesh shohim përpjekje të vazhdueshme për t’i tjetërsuar, herë duke i quajtur thjesht “shqipfolës” dhe jo shqiptarë, herë duke i paraqitur si të prapambetur, lindorë apo si një pjesë më pak të zhvilluar të kombit. Një përbuzje e tillë nuk do të duhej të kishte vend ndër shqiptarë.

Kjo përbuzje bëhet edhe më shqetësuese kur shohim funksionin që ka marrë në diskursin publik. Shpesh shqiptarët e Maqedonisë shndërrohen në një lloj shënjestre simbolike mbi të cilën projektohen pakënaqësi dhe frustrime që kanë burime krejt të tjera. Në vend që vëmendja të drejtohet te problemet reale të shoqërive shqiptare, te korrupsioni, pabarazitë, polarizimi politik apo dështimet institucionale, energjia kanalizohet drejt stigmatizimit të një pjese të vetë kombit. Në këtë mënyrë, shqiptari i Maqedonisë paraqitet jo si bashkëkombës që meriton mirëkuptim dhe solidaritet, por si mishërim i gjithçkaje që disa duan të refuzojnë te vetja.

Por shqiptarët e Maqedonisë nuk ndihmohen duke u tallur, duke u përqeshur apo duke u trajtuar si një element i huaj brenda trupit shqiptar. Përkundrazi, një qasje e tillë vetëm sa thellon ndarjet dhe dobëson ndjenjën e solidaritetit kombëtar. Ky nuk është ideali i kombësisë shqiptare dhe as ai i Rilindjes Kombëtare. Fakti që këto dukuri janë bërë të zakonshme nuk është vetëm për të ardhur keq. Ai është gjithashtu një tregues se ideali kombëtar i Rilindjes është dobësuar ndjeshëm. Sepse është e vështirë të imagjinohet që rilindësit, të cilët përpiqeshin të bashkonin shqiptarët përtej dallimeve krahinore, fetare e politike, do ta pranonin që një pjesë e kombit ta quante pjesën tjetër thjesht “shqipfolëse” ose ta përçmonte për shkak të rrethanave historike në të cilat ka jetuar.

Nuk ka shqiptarë të mirë dhe shqiptarë të këqij, shqiptarë që janë më shumë shqiptarë dhe shqiptarë që janë më pak shqiptarë. Ka shqiptarë që janë të shtypur, të nënshtruar dhe të lirë. Ka shqiptarë që luftojnë për mbijetesë dhe të tjerë që nuk e kanë atë problem. Shqiptarët e Maqedonisë nuk janë plotësisht të lirë. Por asnjë përpjekje për t’i demonizuar, për t’i tallur e përqeshur, për t’i bërë të ndihen inferiorë nuk është formë solidariteti me ta dhe nuk është ideali i kombësisë për të cilin duhet të luftojmë.

*Teksti eshte marr nga fejsbuku i z.Sead Zimeri, filozof nga Kumanova që jeton ne Oslo

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *