Shqipe Selimi reagon pas vendimeve të Speciales për Thaçin, Fazliun, Smakajn dhe Kuqin
Shqipe Selimi, bashkëshortja e ish-komandantit të UÇK-së, Rexhep Selimi, ka reaguar pas vendimeve të sotme të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe të papranueshme.
Përmes një reagimi publik, Selimi ka thënë se vendimi i sotëm për dënimin e Hashim Thaçit, Fadil Fazliut, Bashkim Smakajt dhe Hajredin Kuçit përbën, sipas saj, një tjetër përshkallëzim të padrejtësisë në Gjykatën Speciale.
Ajo ka bërë një krahasim me vendimet e mëhershme të kësaj gjykate, duke përmendur dënimet ndaj Hysni Gucatit, Nasim Haradinajt, Haxhi Shalës, Sabit Jonuzajt, Isni Kilajt, Pjetër Shalës dhe Salih Mustafës.
Selimi ka rikujtuar gjithashtu shpalljen fajtorë të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli, më 16 shtator të këtij viti.
“Ashtu siç ishte i padrejtë dënimi i H. Gucatit, N. Haradinajt, H. Shalës, S. Jonuzajt, I. Bahtjarit, P. Shalës dhe S. Mustafës, ashtu siç ishte e padrejtë edhe shpallja fajtorë e krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli, më 16 shtator të këtij viti, po ashtu edhe dënimi i sotëm i H. Thaçi, F. Fazliu, B. Smakaj dhe H. Kuqi është i padrejtë dhe i papranueshëm”, ka shkruar ajo.
Bashkëshortja e Rexhep Selimit ka theksuar se përkundër këtyre vendimeve, përpjekjet për drejtësi duhet të vazhdojnë edhe në fazat e tjera të procedurave gjyqësore.
Në reagimin e saj, ajo ka përshëndetur edhe shpalljen e pafajësisë dhe lirimin e Isni Kilajt, duke i uruar atij dhe familjes së tij.
“Ne presim dhe duhet të vazhdojmë të luftojmë për drejtësi edhe në fazat e tjera gjyqësore”, ka theksuar Selimi.
