Gazetari Rami Mislimi: Mbi 15 ish-funksionarë të BDI-së paguhen nga arka e partisë rreth 100 mijë denarë në muaj
Gazetari Rami Mislimi, përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, ka ngritur shqetësimin se mbi 15 ish-funksionarë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) — përfshirë ish-ministra, ish-deputetë dhe ish-drejtorë — vazhdojnë të marrin paga mujore nga arka e kësaj partie.
Sipas Mislimit, në këtë listë figurojnë edhe profile që kanë mbajtur poste të larta për disa mandate radhazi, si një ish-drejtor me tre mandate, një ish-ministër me dy mandate dhe një ish-deputet po ashtu me dy mandate. Ai thekson se shumat që u ndahen këtyre ish-zyrtarëve arrijnë rreth 100 mijë denarë (afërsisht 1.500 euro) në muaj, ndonëse në opinion njihen si persona me gjendje të lartë financiare.
Në shkrimin e tij, gazetari vë në pah kontrastin mes trajtimit të ish-funksionarëve dhe aktivistëve të rinj të Forumit Rinor të BDI-së. Ai kritikon faktin që të rinjtë me ambicie e vullnet detyrohen të punojnë si kamarierë për të siguruar jetesën, ndërkohë që pritet të angazhohen në fushatë për të rikthyer në poste po të njëjtët ish-zyrtarë që nuk angazhohen as në selinë e partisë.
Në përmbyllje, Mislimi paralajmëron se portali TS së shpejti do të publikojë me emër dhe mbiemër listën e plotë të të gjithë atyre që përfitojnë paga nga partia pa punuar në seli. (INA)
