TË FUNDIT

Shporta e ministrisë 11 mijë denarë më e lirë se ajo sindikale!

Shporta e konsumit e Ministrisë së Ekonomisë për muajin gusht ka arritur në 58.845 denarë, rreth 11 mijë denarë më pak se shporta sindikale. Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, këtë dallim e arsyeton me metodologjinë e ndryshme të llogaritjes, përkatësisht me produktet dhe shpenzimet që përfshihen në përllogaritje.

I pyetur se sa para u mbeten qytetarëve pasi t’i paguajnë të gjitha faturat mujore, Durmishi nuk dha një përgjigje konkrete. Ai tha se përllogaritja e ministrisë tregon se sa mjete i nevojiten një familjeje katëranëtarëshe për një muaj.

Duke folur për inflacionin, i cili në shtator arriti në 2,7 për qind, ministri deklaroi se Maqedonia e Veriut ka inflacion më të ulët se mesatarja evropiane. Sipas tij, ulja e akcizave për karburantet ka ndihmuar në mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve.

Durmishi bëri të ditur se rreth 30 mijë qytetarë marrin pagë minimale, ndërsa, sipas pretendimeve të tij, 98 për qind e të punësuarve të tjerë marrin paga më të larta se paga minimale.

Megjithatë, dallimi prej rreth 11 mijë denarësh mes dy shportave të konsumit ngre sërish pikëpyetje për koston reale të jetesës dhe për atë se sa mjaftojnë të ardhurat mujore të qytetarëve për të mbuluar shpenzimet bazë familjare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *