Shpëtohen të gjithë minatorët e bllokuar në Trepçë
Të gjithë minatorët që mbetën të bllokuar në minierën e Trepçës në Stantërg janë nxjerrë jashtë dhe, sipas drejtuesve të ndërmarrjes, janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Bëhet fjalë për 63 minatorë, të cilët mbetën të bllokuar në horizontin e 11-të të minierës pas një defekti dhe zjarrit në transformatorin kryesor, që shkaktoi ndërprerjen e energjisë elektrike.
Operacioni i evakuimit zgjati disa orë, ndërsa minatorët u nxorën përmes daljeve dhe shkallëve emergjente.
Lajmin për përfundimin e operacionit e konfirmoi drejtori i Trepçës, Shyqyri Sadiku, i cili bëri të ditur se të gjithë minatorët kanë dalë nga miniera dhe janë mirë.
Ngjarja shkaktoi shqetësim të madh, ndërsa ekipet përgjegjëse ndërhynë për të mundësuar daljen e sigurt të minatorëve.
