TË FUNDIT

Pije dietike apo ujë? Studimi zbulon cila ndihmon më shumë në humbjen e peshës

Një studim dyvjeçar nga Universiteti i Liverpoolit ka zbuluar se pijet dietike me ëmbëlsues artificialë mund të jenë po aq efektive sa uji në një program për humbje peshe, madje pjesëmarrësit që konsumuan pije dietike humbën mesatarisht pak më shumë peshë.

Në studim morën pjesë 493 persona të moshës 18 deri në 65 vjeç, me mbipeshë ose obezitet.

Një grup konsumoi rreth gjysmë litri ujë në ditë, ndërsa grupi tjetër të njëjtën sasi pijesh me ëmbëlsues pa vlera ushqyese, për 104 javë.

Pas dy vitesh, grupi që konsumoi pijet dietike humbi rreth 5 kilogramë, teksa ai që konsumoi ujë rreth 3 kilogramë.

Të dy grupet patën gjithashtu ulje të perimetrit të belit dhe ijeve dhe të masës dhjamore, pa dallime të rëndësishme mes tyre.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se rezultatet nuk nënkuptojnë se pijet dietike shkaktuan vetë rënien në peshë.

Pjesëmarrësit ishin pjesë e një programi të strukturuar që përfshinte këshillim ushqimor, mbështetje në ndryshimin e sjelljes dhe rekomandime për aktivitet fizik.

Studimi gjithashtu kishte disa kufizime, pasi u zhvillua në një lokacion të vetëm në Angli dhe vetëm 220 nga 493 pjesëmarrësit e përfunduan vlerësimin pas 104 javësh. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *