Short i çmendur për Shqipërinë, përballë Spanjës, Italisë dhe Finlandës
Ndarja e grupeve ka vendosur Kombëtaren e Shqipërisë U-21 në një sfidë mjaft të vështirë, duke e pozicionuar në Grupin B krah dy prej gjigantëve të futbollit evropian, Spanjës dhe Italisë, si dhe Finlandës. Ky short konsiderohet tepër i fortë për kuqezinjtë, të cilët do të kenë përballje të nivelit të lartë në garën e këtij grupi. Ndërkohë, në të njëjtën ndarje bie në sy edhe Grupi D, ku janë rreshtuar Norvegjia, Belgjika, Gjermania dhe Holanda, duke premtuar gjithashtu duele tejet interesante.
Bëhet fjalë për Kampionatin Evropian U-21 (2027), ku Shqipëria U-21 merr pjesë si vend bashkëorganizator së bashku me Serbinë.
Turneu zhvillohet nga 16 qershori deri më 3 korrik 2027, dhe ndeshjet e fazës së grupeve për Shqipërinë zhvillohen në Shqipëri (Tiranë, Shkodër ose Elbasan), ndërsa finalja e madhe mbahet në stadiumin “Air Albania”. (INA)
