POLITIKATË FUNDIT

SHBA-ja propozon tarifa doganore deri në 15% për Zvicrën

Qeveria amerikane planifikon të vendosë tarifa të reja doganore ndaj Zvicrës, Bashkimit Evropian dhe 12 partnerëve të tjerë tregtarë. Për Zvicrën është propozuar një tarifë deri në 15 për qind, duke përfshirë edhe tarifat ekzistuese.

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, i arsyeton propozimet e reja me mbikapacitetet strukturore në industri, duke akuzuar partnerët tregtarë se po mbështesin prodhimin e tyre përmes subvencioneve të padrejta, duke dëmtuar ekonominë amerikane.

Normat përfundimtare të tarifave do të përcaktohen më vonë nga presidenti amerikan, ndërsa Zvicra tashmë ka reaguar ndaj këtyre propozimeve, raporton SRF , transmeton Telegrafi.

“Zvicra i hedh poshtë akuzat e bëra në kuadër të këtyre hetimeve”, ka deklaruar Markus Spörndli, zëvendësdrejtor i komunikimit në Departamentin Federal të Çështjeve Ekonomike, Arsimit dhe Kërkimit (EAER).

Autoritetet zvicerane presin që rekomandimi i përfaqësuesit tregtar amerikan të respektojë deklaratën e përbashkët të qëllimit të 14 nëntorit 2025, e cila parashikonte kufizimin e tarifave në 15 për qind, nga 39 për qind sa ishin paralajmëruar fillimisht. Norma e fundit ishte 12.5 për qind.

Departamenti Federal i Çështjeve Ekonomike është në kontakt të ngushtë me autoritetet amerikane, ndërsa Këshilli Federal e ka diskutuar çështjen e tarifave doganore në mbledhjen e së mërkurës.

Tarifa të reja edhe për partnerët e tjerë tregtarë

Sipas qeverisë amerikane, zbatimi i tarifave të reja mund të shtyhet deri në janar të vitit 2027 për shkak të periudhës së konsultimeve.

Për produktet kineze janë propozuar tarifa deri në 20 për qind, përveç tarifave prej rreth 25 për qind të vendosura gjatë mandatit të parë të Trumpit.

Tarifa prej 15 për qind është parashikuar edhe për produktet e prekura nga Bashkimi Evropian, Japonia, Koreja e Jugut dhe Tajvani, ndërsa për Malajzinë është dakorduar një normë maksimale prej 18 për qind.

India dhe Vietnami ende nuk i kanë finalizuar marrëveshjet tregtare me SHBA-në, ndërsa hetimet ndaj Meksikës dhe Norvegjisë vazhdojnë, prandaj ndaj tyre nuk do të vendosen tarifa të reja për momentin, përcjell Telegrafi.

Marrëveshje të reja tregtare në Miami?

Sipas një zyrtari amerikan, tarifat e reja mund të çojnë në negocimin dhe arritjen e marrëveshjeve të tjera tregtare, potencialisht gjatë samitit të G20 në Miami, në dhjetor.

Tarifat e propozuara nuk do t'u shtohen tarifave prej 10 ose 12.5 për qind, të vendosura nga Uashingtoni në korrik ndaj 60 partnerëve tregtarë, për shkak të masave të pretenduara si të pamjaftueshme kundër punës së detyruar.

Masat e reja shihen si një përpjekje për të rivendosur tarifat e Trumpit, pasi Gjykata Supreme e SHBA-së rrëzoi një pjesë të tyre në shkurt.

Politikat tarifore të Trumpit kanë kontribuar në rritjen e çmimeve për konsumatorët amerikanë. Sipas një sondazhi të Reuters/Ipsos, të realizuar pas zgjedhjeve të mesmandatit në fillim të nëntorit, 62 për qind e të anketuarve mbështesin përpjekjet për eliminimin e tarifave.

Në këto zgjedhje, republikanët pësuan humbje të mëdha, duke humbur shumicën në të dyja dhomat e Kongresit amerikan ndaj demokratëve. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *