SHBA-ja dhe Kanadaja negociojnë marrëveshje për uljen e tarifave ndaj çelikut dhe automjeteve
Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja po negociojnë një marrëveshje për të lehtësuar tarifat amerikane ndaj çelikut dhe automjeteve kanadeze, në përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve, të cilat u përkeqësuan pas dështimit të bisedimeve në gusht.
Sipas burimeve amerikane dhe kanadeze të cituara nga Reuters, një marrëveshje e mundshme mund të arrihet përpara zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, të planifikuara për 3 nëntor, transmeton Telegrafi.
Negociatat përqendrohen te tarifat e vendosura në bazë të nenit 232 të ligjit amerikan për tregtinë, i cili lejon kufizime të importeve për arsye të sigurisë kombëtare. Masat përfshijnë tarifa deri në 50% për çelikun kanadez dhe 25% për automjetet.
Palët po diskutojnë mundësinë e lehtësimit të këtyre detyrimeve, megjithëse burimet amerikane thonë se administrata e presidentit Donald Trump kërkon lëshime të mëtejshme nga Otava.
Sipas një burimi kanadez të informuar për negociatat, një marrëveshje për çelikun dhe automjetet mund të arrihet përpara zgjedhjeve. Megjithatë, një burim nga industria kanadeze paralajmëroi se, nëse arrihet një marrëveshje, ajo mund të jetë e kufizuar dhe jo një zgjidhje e gjerë për të gjitha mosmarrëveshjet tregtare.
Tarifat janë kthyer gjithashtu në një çështje politike për Trumpin, i cili po përballet me nivele të ulëta të mbështetjes publike, ndërsa republikanët rrezikojnë të humbasin kontrollin e Kongresit në zgjedhjet e ardhshme.
Kandidatë republikanë në shtetet kufitare me Kanadanë kanë kërkuar përfundimin e luftës tregtare, duke argumentuar se tarifat ndaj importeve kanadeze po dëmtojnë ekonomitë lokale dhe bizneset.
Negociatat për tarifat e nenit 232 po zhvillohen kryesisht nën drejtimin e sekretarit amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick, pasi kjo çështje administrohet nga Departamenti i Tregtisë dhe jo drejtpërdrejt nga Zyra e Përfaqësuesit Tregtar të SHBA-së.
Lutnick dhe ministri kanadez përgjegjës për tregtinë me SHBA-në, Dominic LeBlanc, kanë qenë në kontakt të rregullt gjatë periudhës së fundit, sipas burimeve të cituara nga Reuters.
Një zëdhënës i LeBlanc deklaroi se Kanadaja vazhdon dialogun konstruktiv me palën amerikane për një sërë çështjesh dhe është e gatshme të punojë në mirëbesim për një marrëdhënie tregtare më të dobishme për të dyja palët, duke respektuar interesat kanadeze.
Ndërkohë, Zyra e Përfaqësuesit Tregtar të SHBA-së dhe autoritetet kanadeze kanë diskutuar edhe strukturën e përgjithshme të një marrëveshjeje të mundshme dhe çështjet e tjera tregtare.
Kryeministri kanadez, Mark Carney, konfirmoi se bisedimet me Uashingtonin janë intensifikuar disi, por theksoi se Kanadaja nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj. “Nëse është arritur ndonjë përparim, kjo ka ndodhur sepse SHBA-ja po afrohet më shumë me qëndrimin tonë”, tha ai, pa dhënë hollësi të tjera.
Bisedimet tregtare mes dy vendeve dështuan në gusht, ndër të tjera për shkak të mosmarrëveshjeve mbi uljen e tarifave për automjetet e mesme dhe të rënda, të rëndësishme për fabrikat kanadeze.
Prodhuesit amerikanë të automjeteve kishin shpresuar se negociatat do të sillnin lehtësim nga tarifat fillestare prej 25%, të cilat kanë rritur kostot e transportit të automjeteve dhe pjesëve përtej kufirit.
Trump ka paralajmëruar më herët se nga 1 janari 2027 tarifat për çelikun dhe automjetet e importuara nga Kanadaja do të rriten në 50%. Megjithatë, gjatë një tubimi politik të dielën, ai parashikoi se mosmarrëveshja tregtare do të zgjidhet “së shpejti”, pa dhënë detaje konkrete.
Një tjetër sinjal për zbutjen e tensioneve ishte urdhri i nënshkruar nga Trump të premten, përmes të cilit u hoqën tarifat prej 50% për disa produkte kanadeze bujqësore dhe pyjore. Masa mund të sjellë përfitime për bizneset në shtetin amerikan të Meinit.
Pavarësisht kontakteve më të shpeshta, ende nuk ka një marrëveshje të konfirmuar. Sipas burimeve kanadeze, çdo marrëveshje do të varet nga negociatat mes dy qeverive dhe nga gatishmëria e Trumpit dhe Carneyt për të gjetur një zgjidhje që të përmbushë interesat e të dyja vendeve. /Telegrafi/
