TË FUNDIT

Serbia promovon dokumentarin “Korpusi i Prishtinës” si armë propagande kundër Kosovës e UÇK-së

Në fushatën e saj kundër Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Serbia ka mobilizuar Ministrinë e saj të Mbrojtjes, duke përdorur edhe kësaj radhe kinematografinë si “armë”. Shtëpia filmike e kësaj ministrie serbe, “Zastava Film”, e ka realizuar dokumentarin “Korpusi i Prishtinës: Na komandon atdheu”, premiera e të cilit është mbajtur në Shtëpinë e Ushtrisë së Serbisë në Nish të Serbisë, raporton KOHA.net.

Regjisor i dokumentarit figuron Marko Kamenica, me të cilin “mburret edhe Akademia e Arteve e Beogradit”.

Siç transmeton KOHA.net, Korpusi i Prishtinës, i njohur edhe si Korpusi i 52-të i Ushtrisë së Jugosllavisë (Serbisë) në Kosovë, ka qenë njësi e madhe ushtarake e Armatës së Tretë të Ushtrisë Jugosllave, ndërsa komandantë të tij gjatë luftës në Kosovë kanë qenë Nebojsha Pavkoviçi dhe më pas Vladimir Lazareviçi, të dy të gjykuar për krime lufte në Kosovë.

Ndonëse ish-oficerët e lartë të kësaj njësie janë gjykuar për krime lufte në Kosovë, opinioni në Serbi e cilëson si “Korpusi i Hekurt” dhe i thur lavde.

Figura të shumta, në krye me Lazareviçin e gjykuar për krime lufte në këtë manifestim makabër

Gjenerali në pension Vladimir Lazareviç, i cili nisi projektin dhe prodhimin e këtij filmi dokumentar, është dënuar zyrtarisht për krime kundër njerëzimit. Por ky nuk ishte i vetëm në këtë manifestim makabër, ishte i shoqëruar nga ministri serb i Mbrojtjes Bratislav Gashiç, nga shefi i shtabit madhor të ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviç, dhe “figura” të tjera të ndryshme të makinerisë ushtarake e propaganduese të Serbisë. Pak a shumë i njëjti “ekip” që e organizoi varrimin me nderime shtetërore të kriminelit të gjykuar Ratko Mladiç, kohë më parë. Këtu ishte edhe regjisorja e këtij filmi propagandues, Sllagjana Zariqi, e njohur për filma të shumtë propagandues, si pjesë e makinerisë propaganduese serbe, si “Devedeset i osma” (Nëntëdhjetë e teta), “Reçaku”, “Shtëpia e Verdhë”, si dhe “Dosja Kosova”. Me këtë lloj filmash, një herë Serbia kishte synuar “Oscar”-in, që tregon për arrogancën e shërbimit të propagandës së saj.

Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) në Hagë e dënoi Lazareviçin në kuadër të një gjyqi që përfshinte zyrtarë të lartë politikë, ushtarakë dhe policorë serbë. Lazareviçi u shpall fajtor për ndihmë dhe përkrahje në dëbimin dhe transferimin me forcë të popullsisë civile shqiptare nga Kosova në vitin 1999. Tribunali konstatoi se, në cilësinë e tij si komandant i Korpusit të Prishtinës, ai u ofroi ndihmë praktike forcave të Ushtrisë Jugosllave, të cilat i kryen drejtpërdrejt këto veprime. Në vendimin e Gjykatës të vitit 2009, ai u dënua me 15 vite burgim. Në vitin 2014, Dhoma e Apelit e pranoi pjesërisht ankesën e mbrojtjes dhe e uli dënimin në 14 vjet. Pasi kreu dy të tretat e dënimit në njësinë e paraburgimit në Hagë, Lazareviçi u lirua në dhjetor të vitit 2015.

Në narrativën zyrtare të paraqitur nga autoritetet shtetërore dhe Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, dënimi i tij nga Tribunali i Hagës kryesisht anashkalohet ose minimizohet. Përkundrazi, Lazareviçi paraqitet – në paraqitje publike dhe në projekte të mbështetura nga shteti, siç është filmi i përmendur më lart – si një hero lufte që udhëhoqi mbrojtjen e vendit gjatë bombardimeve të NATO-s, transmeton “Balkan Insight”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *