TË FUNDIT

Segmenti i Unazës së Arbërisë në Prishtinë emërtohet në nderim të diplomatit amerikan Frank Wisner

Një segment i Unazës së Arbërisë në Prishtinë është emërtuar në nderim të diplomatit amerikan Frank Wisner, në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe angazhimin e tij në Kosovë.

Në ceremoninë e emërtimit ishte e pranishme përfaqësuesja e familjes, Sabina Wisner, e cila falënderoi institucionet për këtë nderim, duke theksuar lidhjen e veçantë që Frank kishte me Kosovën dhe njerëzit e saj.

“Është një nder që jam këtu dhe ju falënderoj për këtë nderim. Ai e adhuronte punën në këtë rajon dhe ka bërë shumë miq këtu. Ai kishte një lidhje të veçantë me vendin dhe me të gjithë ju”, tha ajo.

Ajo u shpreh e pikëlluar që Frank Wisner nuk është më gjallë për ta ndarë këtë moment me familjen dhe me të pranishmit.

“Jam vetëm e pikëlluar që ai nuk është më me ne për ta ndarë këtë moment. Nga viti 2005 deri në vitin 2009, ai ka punuar me shumë pasion dhe përkushtim në këtë projekt. Andaj, ju falënderoj shumë për këtë nderim”, shtoi Sabina Wisner.

Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se për familjen Wisner ishte përgatitur edhe një dhuratë simbolike, si dhe një pankartë që mund ta merrnin me vete në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

– YouTube www.youtube.com

“Kemi sjellë një dhuratë të vogël këtu. Kemi përgatitur edhe diçka të veçantë për familjen, që mund ta merrni me vete në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu, kemi bërë edhe një pankartë të vogël, që mund ta merrni me vete”, tha Rama.

Po ashtu, në këtë ngjarje, i pranishëm ishte edhe djali, David Wisner , që po ashtu ushtron funksionin e diplomatit të deleguar nga ShBA.

Frank G. Wisner ishte një diplomat i karrierës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili luajti rol të rëndësishëm në procesin diplomatik që i parapriu shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Diplomat amerikan dhe ambasador në disa shtete. Ish-përfaqësues i posaçëm i sekretarit amerikan të Shtetit për bisedimet lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës.

Më 19 dhjetor 2005, sekretarja amerikane e Shtetit në atë kohë, Condoleezza Rice, njoftoi emërimin e Wisnerit si përfaqësues të posaçëm të SHBA-së për bisedimet rreth statusit të Kosovës.

Detyra e tij ishte të përfaqësonte dhe të mbështeste qëndrimin amerikan në procesin negociator të udhëhequr nga i dërguari i posaçëm i OKB-së, Martti Ahtisaari.

Wisner ishte pjesë e përpjekjeve diplomatike ndërkombëtare për arritjen e një zgjidhjeje për statusin e Kosovës.

Frank Wisner ndërroi jetë më 24 shkurt 2025, në moshën 86-vjeçare. Ai ishte diplomat amerikan dhe kishte shërbyer në disa pozita të rëndësishme në diplomacinë amerikane. / Telegrafi /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *