TË FUNDIT

RrOK kërkon rishqyrtimin e subvencioneve për kulturë në Mitrovicë, ngre dyshime për konflikt interesi

Rrjeti i Organizatave Kulturore të Mitrovicës (RrOK) ka shprehur shqetësim lidhur me ligjshmërinë, transparencën dhe paanshmërinë e procesit të vlerësimit të projekteve në kuadër të thirrjes së dytë publike të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS) për subvencionet në vitin 2026.

Në një reagim publik, RrOK ka ngritur disa çështje që, sipas këtij rrjeti, kërkojnë verifikim dhe rishqyrtim institucional, përfshirë përbërjen e Komisionit Vlerësues, dyshimet për konflikt interesi dhe diskualifikimin e disa aplikantëve për mungesë të dokumentacionit.

Sa i përket përbërjes së komisionit, RrOK pretendon se në procesin e vlerësimit kanë marrë pjesë katër anëtarë, ndonëse neni 8 i Rregullores MF-Nr. 04/2017 parasheh pesë anëtarë.

Po ashtu, ky rrjet ka ngritur pikëpyetje për ekspertizën profesionale të komisionit, duke theksuar se ai është kryesuar nga një përfaqësues i sektorit të sportit, i cili, sipas RrOK-ut, nuk përbën përvojën e nevojshme për vlerësimin e projekteve kulturore dhe artistike.

Shqetësim të veçantë RrOK ka shprehur edhe për dyshimet për konflikt të interesit. Sipas këtij rrjeti, kryesuesi i Komisionit Vlerësues mund të ketë marrë pjesë në vlerësimin e një organizate të përzgjedhur për financim, bashkëthemelues apo themelues i së cilës, sipas informatave që posedon RrOK, është vëllai i tij.

“Pa paragjykuar përgjegjësinë individuale apo meritat e projektit përfitues, kjo rrethanë kërkon verifikim të pavarur nëse lidhja familjare është deklaruar paraprakisht, nëse kryesuesi është tërhequr nga vlerësimi dhe vendimmarrja përkatëse dhe nëse është zbatuar procedura e zëvendësimit”, thuhet në reagim.

RrOK ka kërkuar që kjo çështje të shqyrtohet në përputhje me nenin 19 të Rregullores MF-Nr. 04/2017 dhe nenet 6, 8 dhe 17 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

Një tjetër çështje e ngritur nga ky rrjet lidhet me diskualifikimin e aplikantëve për mosdorëzimin e vërtetimit nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Sipas RrOK-ut, neni 20 i rregullores dhe udhëzimet për aplikantët, në faqen e gjashtë, parashohin mundësinë e kërkimit të dokumentacionit shtesë pas përzgjedhjes paraprake. Për këtë arsye, rrjeti ka kërkuar rishqyrtimin e aplikimeve të diskualifikuara për këtë arsye.

Rrjeti i Organizatave Kulturore të Mitrovicës ka kërkuar gjithashtu publikimin e pikëve të vlerësimit dhe shumave financiare të ndara për secilën organizatë përfituese, si dhe njoftimin individual me shkrim të aplikantëve për arsyet e refuzimit.

Në reagim është ngritur edhe çështja e zbatimit të Strategjisë për Kulturë 2024–2027, të miratuar nga Kuvendi Komunal më 26 qershor 2024.

Sipas RrOK-ut, kjo strategji duhet të shërbejë si bazë orientuese për financimin dhe vlerësimin e projekteve kulturore, por pretendon se ajo nuk është marrë parasysh në asnjërën prej thirrjeve publike.

Ndër kërkesat e këtij rrjeti janë verifikimi i ligjshmërisë së përbërjes dhe funksionimit të Komisionit Vlerësues, shqyrtimi i pavarur i dyshimeve për konflikt interesi nga institucionet kompetente, publikimi i procesverbaleve, rezultateve dhe shumave të subvencioneve, si dhe rishqyrtimi i aplikimeve të diskualifikuara.

RrOK ka kërkuar që rezultatet të mos finalizohen deri në shqyrtimin e ankesave, ndërsa ka kërkuar edhe anulimin e tyre dhe përsëritjen e procesit të vlerësimit në rast se konstatohen shkelje që cenojnë ligjshmërinë e vendimmarrjes.

“RrOK konsideron se mbrojtja e integritetit të procesit të financimit publik është në interes të të gjithë komunitetit kulturor dhe qytetarëve të Mitrovicës”, thuhet në reagimin e këtij rrjeti. / Telegrafi /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *