TË FUNDIT

Rregulla të reja për makinat e vjetra në Shqipëri, çregjistrim me certifikatë shkatërrimi dhe dorëzim pa kosto për qytetarët

Qeveria shqiptare ka hartuar një projektvendim të ri normativ që synon reformimin e plotë të sistemit të menaxhimit të automjeteve të vjetra dhe pjesëve të tyre përbërëse. Akti i ri, i cili propozohet nga Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, vjen si një detyrim për përafrimin e legjislacionit kombëtar me Direktivën 2000/53/KE të Bashkimit Evropian, duke shfuqizuar kuadrin e vjetër ligjor të vitit 2012.

Sipas relacionit shpjegues, qëllimi thelbësor është “mbrojtja e mjedisit dhe e shëndetit të njeriut, nëpërmjet parandalimit të mbetjeve të automjeteve” , duke i hapur rrugë ekonomisë qarkulluese përmes ripërdorimit dhe riciklimit.

Një nga ndryshimet me ndikimin më të drejtpërdrejtë te qytetarët është krijimi i lehtësirave për heqjen dorë nga mjetet jofunksionale. Projektvendimi garanton “dorëzimin e automjetit në fund të jetës pa asnjë kosto për zotëruesin ose pronarin e fundit, edhe kur automjeti nuk ka vlerë tregu ose ka vlerë tregu negative” . Kjo kosto financiare nuk do të rëndojë mbi buxhetin e shtetit, por, në përputhje me parimin e përgjegjësisë së zgjeruar, “kostot e këtij dorëzimi i përballojnë prodhuesit, tërësisht ose në një pjesë të konsiderueshme” .

Për t’i dhënë fund informalitetit dhe çmontimit të pakontrolluar rrugëve, dokumentacioni dhe gjurmueshmëria e mjeteve do të hyjnë në një regjim strikt. Relacioni bën të qartë se çregjistrimi i një mjeti nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) nuk do të mund të bëhet më pa u mbyllur cikli i tij jetësor pranë një pike të licencuar. Kjo gjurmueshmëri sigurohet nëpërmjet “certifikatës së shkatërrimit, e cila lëshohet vetëm nga operatori i autorizuar i trajtimit” dhe përmban “një kod serial unik të dhënë nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit” .

Përtej anës burokratike, drafti vendos standarde të forta mjedisore. Për të shmangur ndotjen e tokës dhe ujërave, operatorët e autorizuar të trajtimit detyrohen të kryejnë “dekontaminimin përpara çdo operacioni tjetër trajtimi, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe jo më vonë se 10 ditë nga marrja në dorëzim” . Më tej, duke nisur pas datës 1 janar 2028, ndalohet në mënyrë të prerë “hedhja për herë të parë në treg të automjeteve, të materialeve dhe të pjesëve përbërëse që përmbajnë plumb, merkur, kadmium ose krom gjashtëvalent” .

Për realizimin e këtyre objektivave, shteti ka parashikuar një kalendar të saktë arritjesh sipas modeleve evropiane. Deri në janar 2028, operatorët ekonomikë duhet të sigurojnë “jo më pak se 85 për qind ripërdorim e rikuperim dhe 80 për qind ripërdorim e riciklim” , ndërsa këto shifra rriten përkatësisht në 95% dhe 85% duke filluar nga 1 janari i vitit 2030.

Sistemi i ri lë pak hapësirë për abuzime edhe me hapësirat publike, pasi institucionet vendore dhe Policia e Shtetit ngarkohen me detyrën “të identifikojë dhe të heqë automjetet e braktisura” për t’i dërguar më pas drejt trajtimit përfundimtar. Për t’u lënë kohë bizneseve aktuale të skrapit dhe autovarrezeve të përshtaten me rregullat e reja, projektvendimi përcakton një klauzolë tranzitore, e cila u jep atyre “18 muaj nga hyrja në fuqi e vendimit” për të investuar dhe plotësuar kërkesat minimale teknike dhe mjedisore të përcaktuara në ligj. Për zbatimin e reformës nuk janë parashikuar efekte shtesë në buxhetin e shtetit./RTSh

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *