Arrestohet një person në Podujevë, policia sekuestron kokainë, marihuanë dhe armë
Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Podujevë, pasi gjatë kontrollit të një objekti të pashfrytëzuar ka gjetur dhe sekuestruar substanca të dyshuara narkotike, një armë zjarri dhe municion.
Sipas njoftimit të Policisë, Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Podujevë, pas një pune operative, ka kontrolluar objektin ku janë gjetur substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë dhe kokainë.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar edhe cigare të mbushura me substancë të dyshuar narkotike, cigare elektronike, një peshore digjitale, si dhe një pistoletë me karikator dhe fishekë.
Në lidhje me rastin, një person është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit të shtetit, është ndaluar për 48 orë.
Rasti po hetohet për veprat penale që lidhen me narkotikët dhe mbajtjen e paautorizuar të armëve./Telegrafi/
