Rrahmani për çështjen e edukimit seksual në shkolla: Kurti: “Gjithmonë e njëjta temë”
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ka ngritur sot çështjen e përfshirjes së temave për orientimet seksuale në shkolla, duke kërkuar nga kryeministri Albin Kurti të sqarojë arsyet e promovimit të këtyre temave në sistemin arsimor.
Rrahmani fillimisht kërkoi që të respektohet Rregullorja e Kuvendit dhe e drejta e deputetëve për të bërë pyetje dhe për të diskutuar çështje që lidhen me dokumentet dhe angazhimet e trajtuara në Kuvend.
Duke iu drejtuar kryeministrit Kurti, ai rikujtoi se në paraqitjen e punës katërvjeçare të Qeverisë, ndër të arriturat në arsim ishte përmendur edhe përfshirja e mësimit për orientimet seksuale në shkolla.
Në përgjigjen e tij, kryeministri Kurti tha se për çështjen e doracakut, për të cilin ishte zhvilluar debat publik, ai kishte dhënë sqarime edhe më herët, duke iu referuar një video-adresimi të publikuar më 17 nëntor 2024. Ai shtoi se nuk kishte diçka të re për të shtuar lidhur me këtë çështje.
Ndërkaq, duke iu përgjigjur pjesës për arritjet në arsim gjatë mandatit të tij, Kurti përmendi arsimin publik pa pagesë në nivelin bachelor dhe master, bursat për studentët, mbështetjen për vajzat në fushat STEM, si dhe investimet në edukimin e hershëm dhe gjithëpërfshirës.
Ai përmendi edhe rritjen e numrit të fëmijëve në çerdhe për 33 për qind, shtimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta dhe mbështetjen financiare për familjet.
Deputeti Rrahmani vazhdoi diskutimin me kryeministrin lidhur me edukimin seksual në shkolla dhe trajnimin e mësimdhënësve për këtë çështje.
Rrahmani pretendoi se mbi dy mijë mësimdhënës janë trajnuar për edukimin seksual dhe kërkoi sqarime nga Kurti lidhur me përmbajtjen e këtyre trajnimeve.
“Kryeministër, në paradat në të cilat keni marrë pjesë, sa herë keni dalë, njëra ndër diskutimet tuaja ka qenë pikërisht edhe kjo që po e flas unë. Domethënë, ku i informoni se tash e tutje fëmijët do të mësojnë për këto orientime seksuale. Folët edhe për çështjen e doracakut për edukimin seksual, i cili ka qenë i dedikuar për mësimdhënësit e Republikës. Në atë periudhë mbi dy mijë mësimdhënës janë trajnuar dhe në atë trajnim është shpjeguar që ata duhet t’i tregojnë edhe përvojat e tyre seksuale te fëmijët”, deklaroi Rrahmani.
Në përgjigjen e tij, kryeministri Kurti tha se të arriturat në arsim janë të paraqitura në përmbledhjen e publikuar një ditë më parë, ndërsa kritikoi Rrahmanin për rikthimin e vazhdueshëm te e njëjta temë.
“Edhe një herë, deputeti Rrahmani, të arriturat për arsim i gjeni në faqet 20 dhe 21 të kësaj përmbledhjeje, të cilën e kam publikuar dje. Këtu ka shumë gjëra, por unë po e kuptoj dhe po e ritheksoj që nuk e mirëkuptoj që ju e risillni edhe një variant tjetër të së njëjtës temë, gjithmonë seksi, gjinia, orientimi seksual, provoni ndoshta t’i mbani mend diku tjetër, se mbase ndihmon”, u përgjigj Kurti. /KosovaNews/
