TË FUNDIT

Konventa e nëntë e industrisë së drurit: MINTI premton mbështetje për tregjet evropiane

Konventa e nëntë e Industrisë së Drurit , u mbajt sot në Hotel Emerald në Prishtinë, që ka bashkuar mbi 200 kompani prodhuese dhe përfaqësues ndërkombëtarë, me synimin për të hapur rrugë për mundësi të reja bashkëpunimi dhe zgjerim të eksporteve.

Sektori i përpunimit të drurit në Kosovë numëron rreth 800 kompani aktive prodhuese dhe mbi 25 mijë të punësuar, ndërsa eksportet vjetore tejkalojnë 200 milionë euro. Potenciali për rritje vlerësohet të jetë edhe 50 për qind më i lartë. Kështu deklaroi drejtoresha ekzekutive e Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës (SHPDK), Arieta Vula-Pozhegu , në podcastin “Ekonomia pa filtra” , sipas raportimit për KosovaPress, ku foli për zhvillimin e kësaj industrie, sfidat e prodhuesve vendorë dhe mundësitë për depërtim në tregjet ndërkombëtare.

“Konventa është një ngjarje që tash është edicioni i nëntë, që 10 vjet ne po e organizojmë. Mbledh industrinë e drurit, institucionet, aktarët dhe partnerët e tjerë relevantë që ne i kemi në Kosovë, ftojmë zakonisht edhe kompani nga jashtë që të na përcjellin edhe të marrin pjesë në këtë ngjarje. Kjo ngjarje tash ka kaluar kufijtë si një ngjarje konventë lokale, po kalon në nivel ndërkombëtar”, tha Vula-Pozhegu.

Sipas saj, përveç pjesës së diskutimeve, konventa ka edhe pjesën e ekspozimit me rreth 30 kompani që prezantojnë produktet e tyre inovative, si dhe pjesën e makinerive dhe zhvilluesve të softuerëve për industrinë.

“Kemi edhe garën studentore të dizajnit, ku studentët e katër universiteteve të Kosovës që kanë dizajnin dhe arkitekturën kanë hyrë në garë. Kjo vjen si investim nga vetë industria që të mbështesë e të stimulojë studentët që të merren me këtë industri”, shtoi ajo.

Në Konventën e 9-të të SHPDK-së, ku u kremtua suksesi i sektorit dhe u diskutua për mundësitë dhe sfidat, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), Mimoza Kusari-Lila, theksoi se industria e drurit në Kosovë është dëshmi e fuqisë transformuese të ndërmarrësisë dhe e potencialit të prodhimit vendor.

Përmasat e këtij zhvillimi dëshmohen edhe nga të dhënat zyrtare të vitit 2025: 519 ndërmarrje në prodhimin e drurit me rreth 2,814 të punësuar dhe mbi 121 milionë euro qarkullim, si dhe 823 ndërmarrje në prodhimin e mobilieve me rreth 5,600 të punësuar.

Sipas ministrisë, ky transformim është rezultat i guximit, investimeve dhe përkushtimit të ndërmarrësve, ndërsa hapi i radhës është forcimi i konkurrueshmërisë përmes certifikimit të pyjeve dhe gjurmueshmërisë së lëndës së parë, investimeve në teknologji, aftësimit profesional dhe prodhimit të qëndrueshëm.

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me shtetet e EFTA-s, si dhe instrumentet për mbështetjen e prodhimit të mençur dhe industrisë së gjelbër, sipas MINTI-t, hapin mundësi të reja për zgjerimin e bizneseve në tregjet evropiane.

“Ministria mbetet partnere e kësaj industrie me një synim të qartë: më shumë prodhim vendor, më shumë eksporte dhe produkte të Kosovës që dallohen për cilësi, dizajn dhe inovacion”, theksohet në komunikatin zyrtar, në të cilin theksohet se industria e drurit është dëshmi se kur tradita takohet me teknologjinë dhe vizionin ndërmarrës, Kosova mund të prodhojë përtej kufijve të saj.

Duke folur për gjendjen e industrisë, Vula-Pozhegu vlerësoi se sektori vazhdon të ketë potencial të madh zhvillimi dhe eksporti, megjithëse përballet me sfida të ndryshme, veçanërisht në sigurimin e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe në procesin e digjitalizimit, temat që u trajtuan edhe në diskutimet e konventës.

“Kjo industri, siç të gjitha industritë e tjera në Kosovë, ka gjithmonë sfida, probleme, pengesa. Megjithatë, industria e drurit është ajo e cila kapërcen çdo sfidë për të arritur suksesin. Problemet janë aktuale, mirëpo edhe mundësia për të eksportuar është jashtëzakonisht e madhe”, tha ajo.

Si pengesa kryesore ajo numëroi vështirësitë me fuqinë punëtore, sistemet e digjitalizimit, aftësitë dhe shkathtësitë e punëtorëve, si dhe nevojën brenda industrisë për rritje të kapaciteteve dhe reduktim të kostove, me më shumë investime në industri të mençur.

Sipas statistikave dhe regjistrimeve, në këtë sektor janë rreth 2 mijë kompani, mirëpo si prodhues aktivë konsiderohen rreth 800 kompani.

“Ato punojnë kryesisht në sferën e industrisë së mobilierisë, dhe pjesa tjetër në produktet e industrisë së drurit që përdoren në ndërtim, siç janë shtëpitë e drurit, dyer, dritaret, shkallët apo produkte të tjera”, tha Vula-Pozhegu, duke shtuar se numri i të punësuarve vlerësohet të jetë mbi 25 mijë.

Të dhënat zyrtare të MINTI-t për vitin 2025, tregojnë se numri i përgjithshëm i ndërmarrjeve të regjistruara në prodhimin e drurit dhe mobilieve shkon mbi 1,340, me mbi 8,400 të punësuar vetëm në këto dy kategori.

Sa i përket tregut vendor, ajo theksoi se prodhimi kosovar mbulon rreth 70 deri në 80 për qind të kërkesës për produkte si dyer, dritare, kuzhina, mobilie dhe dhoma gjumi.

“Eksporti i kësaj industrie shkon rreth 200 milionë, domethënë mbi 200 milionë në statistikat në vit. Nëse e krahasojmë me eksportin e gjithëmbarshëm të Kosovës, e zë një vend rreth 20 për qind të totalit të eksportit”, nënvizoi ajo.

Sipas saj, importi është gati i barabartë me eksportin, kryesisht për shkak të importit të lëndës drurore që përdoret për mobilieri dhe ndërtimtari.

Ajo shtoi se sektori ka kapacitet dhe potencial që eksportet të jenë edhe 50 për qind më shumë, mirëpo ka vështirësi në promovimin, gjetjen e klientëve të rinj dhe futjen në programet e vendeve të Bashkimit Evropian dhe më gjerë, sfidë, për të cilën ministria synon të kontribuojë përmes Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me EFTA-n dhe instrumenteve për industrinë e gjelbër.

Ndër sfidat kryesore që ndikojnë në konkurrueshmërinë e prodhuesve vendorë, ajo veçoi rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe të pagave të punëtorëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *