Reperi shqiptar me famë botërore, G4shi: Shqipëria u takon fëmijëve të saj, jo xhepave të pushtetarëve
Reperi shqiptar me famë ndërkombëtare, G4shi, emri i vërtetë i të cilit është Labinot Gashi, ka reaguar për situatën e krijuar në Shqipëri, duke shprehur shqetësimin e tij për përplasjet mes policisë dhe të rinjve që kanë dalë në protesta kundër korrupsionit dhe padrejtësive.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, artisti ka kritikuar ashpër policët që, sipas tij, po përdorin forcën ndaj të rinjve që po protestojnë në mënyrë paqësore.
Ai e ka cilësuar një veprim të tillë si të turpshëm, duke u kujtuar efektivëve se të rinjtë që qëndrojnë përballë tyre janë pjesë e së ardhmes së vendit.
View this post on Instagram A post shared by Larry Gashi (@gashi)
“Ata janë fëmijët tanë, gjaku ynë dhe e ardhmja jonë”, është mesazhi që përcjell reperi.
G4shi u ka bërë thirrje efektivëve të reflektojnë mbi veprimet e tyre dhe të mos harrojnë përgjegjësinë që kanë ndaj qytetarëve.
Sipas tij, uniforma dhe pozita nuk duhet ta zhdukin njerëzoren, ndërsa ata që janë betuar për të mbrojtur qytetarët nuk duhet të kthehen kundër të rinjve që kërkojnë një të ardhme më të mirë.
Në reagimin e tij, artisti ka ngritur edhe pikëpyetje mbi ndërgjegjen e atyre që zgjedhin të veprojnë kundër protestuesve, duke kujtuar se pushteti, paratë dhe pozitat janë të përkohshme.
Ai ka theksuar se askush nuk duhet të harrojë pasojat e veprimeve të veta dhe dhimbjen që mund t’u shkaktojë njerëzve të pafajshëm.
Reperi ka kujtuar gjithashtu sakrificat e prindërve dhe gjyshërve, duke nënvizuar se brezat e mëparshëm kanë kaluar shumë vështirësi që të rinjtë e sotëm të kenë mundësi të kërkojnë një të ardhme më të mirë.
Për këtë arsye është e papranueshme që ata të kthehen kundër fëmijëve të tyre për të mbrojtur interesat e pushtetarëve.
“Shqipëria u përket fëmijëve të saj, jo xhepave të pushtetarëve”, është një tjetër prej mesazheve më të forta të G4shit, i cili ka kërkuar që të rinjtë të dëgjohen dhe të mbrohen, e jo të trajtohen si armiq.
Ai e ka mbyllur reagimin me një lutje që Zoti t’i mbrojë të gjithë të rinjtë e pafajshëm që po qëndrojnë për një të nesërme më të mirë. /Telegrafi/
