EULEX-i shton patrullat pranë pikave kufitare me Serbinë
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka shtuar patrullat e Njësisë Policore të Specializuar pranë pikave kryesore të kalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në ditën e zgjedhjeve në Serbi.
Sipas njoftimit të EULEX-it, masat kanë nisur që në orët e hershme të ditës, me qëllim monitorimin e situatës në terren.
EULEX-i bën të ditur se veprimet po zhvillohen në koordinim me Policinë e Kosovës dhe misionin e KFOR-it, të udhëhequr nga NATO-ja, në kuadër të mekanizmit trepalësh të reagimit të sigurisë.
Misioni nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me situatën në pikat e kalimit kufitar.
