TË FUNDIT

​Rasti “Thaçi 2”: Mbrojtja konteston transkriptet, mohon veprimin e përbashkët

Ekipet mbrojtëse të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, dhe katër të akuzuarëve të tjerë, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit kanë goditur ashpër metodologjinë dhe provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në procesin e njohur si “pengimi i administrimit të drejtësisë”

Argumentet kryesore, të paraqitura nga avokatët mbrojtës, Sophie Menegon dhe Jonathan Rees u përqendruan në thelbin e të drejtave themelore të njeriut: prezumimin e pafajësisë, barrën e provës dhe papranueshmërinë e provave të paverifikuara shkencërisht.

Shtylla qendrore e mbrojtjes ishte kundërshtimi i transkripteve të bisedave të regjistruara gjatë vizitave në qendrën e paraburgimit.

Sipas, Menegon, ZPS-ja ka prodhuar rreth 30 orë audio, por transkriptimet e tyre konsiderohen nga mbrojtja si “interpretime” subjektive të personelit të paidentifikuar të Prokurorisë, dhe jo si prova forenzike të pavarura.

Menegon: Transkripti nuk është autentik

“Në kërkesën tonë për verifikim kemi dorëzuar një tabelë ku bënim një përmbledhje të kundërshtimeve për secilin transkript. Dhe po citoj, audio është e padallueshme, mbrojtja kundërshton mbështetshmërinë dhe autenticitetin e transkriptit shqip, në shqip, dhe përkthimin e këtij transkripti pastaj. ZPS-ja nuk ka treguar se çfarë ka bërë për transkriptimin e audios forenzike të padallueshme në mënyrë të duhur. Rrjedhojë, nuk mund të thuhet se ne nuk kemi paraqitur provat tona ndaj ZPS-së apo kundërshtimet tona. Ne e kemi bërë këtë dhe në mënyrë të përsëritur”, tha Menegon.

Ajo theksoi se Prokuroria nuk ka përmbushur detyrimin e saj ligjor për të vërtetuar saktësinë e këtyre transkripteve. Për më tepër, ZPS-ja nuk ka thirrur asnjë ekspert apo transkriptues për të dëshmuar mbi metodologjinë e përdorur, duke i lënë avokatët pa mundësinë e marrjes në pyetje (cross-examination), një e drejtë kjo e garantuar nga Neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Mbrojtja gjithashtu ngriti shqetësime të mëdha mbi interpretimin e ligjit penal të Kosovës nga ana e ZPS-së. Në veçanti, u debatua mbi dallimin e mprehtë juridik mes “veprimit të përbashkët në një grup” dhe “bashkëkryerjes”. Sipas avokatëve, Prokuroria po tenton të krijojë një precedent të ri, të pasaktë dhe të panjohur në jurisprudencën kosovare, duke provuar të argumentojë se vetëm prania pasive ose diskutimet e thjeshta mes individëve mund të përbëjnë një formë të veprimit të përbashkët kriminal.

Menegan: Ka dallim mes veprimit të përbashkët dhe atij të koordinuar

Ne parashtrojmë se veprimi i përbashkët i një grupi duhet të interpretohet në përputhje me jurisprudencën e Kosovës dhe duhet gjithashtu të interpretohet në mënyrë që t’i jepë fjalës kuptimin e saj. Kjo do të thotë që nuk mund të interpretohet thjesht si një mënyrë tjetër e të thënit bashkëkryerje, vetëm pse ZPS-ja pajtohet me këtë. Veprimi i përbashkët parashtrojmë neve, qëndrimi jonë është se është i ndryshëm nga veprimi i koordinuar. Do të thotë veprim i ndërmarrë fizikisht së bashku.

Një tjetër pikë nevralgjike e seancës ishte nocioni i “tentativës” për pengim të drejtësisë. Aty avokati Reese argumentoi gjerësisht se aktet përgatitore, siç mund të jetë mbajtja ose shkëmbimi i letrave të printuara në qendrën e paraburgimit, nuk përbëjnë në vetvete vepër penale të tentativës për pengim, për sa kohë nuk ka një akt thelbësor dhe të drejtpërdrejtë kundër administrimit të drejtësisë.

Rees: Udhëzimet për dëshmitarin, nuk e pengojnë dëshminë

Dhënia e udhëzimeve të hollësishme dëshmitarit nuk përbën pengim, nuk e pengon marrjen, përgatitjen apo marrjen në pyetje, testimin, verifikimin e provave të dëshmitarit në çështjen gjashtë, pa asgjë më tej. Nuk është veprimtari kjo që përmbush, që përbën veprime përgatitore, apo akte përgatitore. Është thjesht një veprimtari, sjellje, që nuk shkon përtej, më shumë sesa marrëveshjes, planifikimit apo organizimit me një person tjetër të kryerjes së veprës penale, që si rezultat i nenit 27, nuk e ka aftësinë që të pengojë pa bërë diçka tjetër. E njëjta gjë vlen për dokumentet e printuara, dhe që t’u japësh atyre… dhe dhënien e tyre të bashkëakuzuarve në shkelje të procedurës së qendrës së paraburgimit. Pa asgjë të mëtejshme, pa veprime të mëtejshme, kjo mund të jetë një shkelje e procedurave të qendrës së paraburgimit, por nuk përbën pengim.

Gjithashtu, u kritikua rëndë mungesa e transparencës nga ana e ZPS-së në lidhje me origjinën e disa prej këtyre dokumenteve dhe se si ato përfunduan në duart e gjykatës. Në përfundim, kjo seancë nxori në pah një përplasje të fortë jo vetëm mbi faktet, por mbi vetë themelet e procedurës penale ndërkombëtare. Duke kërkuar lirimin nga të gjitha akuzat përkatëse për Thaçin dhe të tjerët, mbrojtja paralajmëroi trupin gjykues se shpallja e fajësisë bazuar në transkripte të pakontrolluara dhe në interpretime të paprecedenta të ligjit do të përbënte një shkelje të rëndë të parimeve të drejtësisë universale dhe të drejtave të të akuzuarve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *