Kosova numëron orët drejt vendimit në Hagë – verdikti që mund të tronditë edhe skenën politike
Kosova po hyn në ditët më të ndjeshme që prej fillimit të procesit gjyqësor në Hagë, ndërsa të mërkurën pritet të shpallet vendimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë përndjekje, burgosje arbitrare, torturë, vrasje dhe zhdukje të detyruar.
Ata i kanë mohuar të gjitha akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.
Prokuroria e Specializuar ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve, ndërsa ekipet e mbrojtjes kanë kërkuar lirimin e tyre, duke argumentuar se Prokuroria nuk ka arritur të provojë përgjegjësinë individuale dhe lidhjen e drejtpërdrejtë të të akuzuarve me krimet e pretenduara.
Sipas Reuters, vendimi është planifikuar të shpallet në orën 10:00 në Hagë, përkatësisht në orën 08:00 sipas kohës universale.
Në disa qytete të Kosovës janë paralajmëruar organizime për ndjekjen publike të seancës. Ditët e fundit janë mbajtur gjithashtu tubime në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe me kërkesa për lirimin e tyre.
Procesi ka ngjallur kundërshtime të forta në Kosovë, ku shumë qytetarë dhe ish-pjesëtarë të UÇK-së e konsiderojnë gjykimin të njëanshëm. Kritika janë ngritur edhe për numrin e madh të dëshmitarëve që kanë dëshmuar në seanca të mbyllura dhe për mungesën e transparencës së plotë për publikun.
Në anën tjetër, Dhomat e Specializuara janë themeluar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, nën presionin e fuqishëm të aleatëve ndërkombëtarë, dhe funksionojnë në Hagë sipas ligjeve të Kosovës, por me gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.
Vendim me pasoja përtej sallës së gjyqit
Rëndësia e vendimit pritet të shkojë përtej fatit personal të katër të akuzuarve.
Analistët e cituar nga Reuters vlerësojnë se verdikti mund të ndikojë në raportet e Kosovës me aleatët perëndimorë, në marrëdhëniet me Serbinë dhe në ekuilibrat e brendshëm politikë.
Në rast të shpalljes së pafajësisë, mund të krijohen rrethana të reja politike, veçanërisht për Partinë Demokratike të Kosovës, e cila është themeluar dhe drejtuar për shumë vite nga Hashim Thaçi.
Një vendim dënues, ndërkaq, mund të shkaktojë reagime të fuqishme publike dhe ta thellojë mosbesimin e një pjese të shoqërisë kosovare ndaj Gjykatës Speciale dhe institucioneve ndërkombëtare që mbështetën krijimin e saj.
Reuters citon analistin Agon Maliqi, i cili e ka përshkruar vendimin si një “ngjarje tektonike” për politikën dhe shoqërinë kosovare.
Thaçi mund të mos lirohet menjëherë
Edhe nëse shpallet i pafajshëm në procesin kryesor, Hashim Thaçi mund të mos lirohet menjëherë nga paraburgimi.
Ndaj tij është zhvilluar edhe një proces i veçantë lidhur me pretendimet për pengim të drejtësisë dhe ndikim mbi dëshmitarët. Thaçi i ka mohuar edhe këto akuza.
Katër ish-drejtuesit e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Gjyqtarët tani do të vendosin nëse pretendimet e Prokurorisë janë provuar përtej dyshimit të arsyeshëm apo nëse të akuzuarit duhet të lirohen nga akuzat.
Pavarësisht rezultatit, vendimi i së mërkurës pritet të hapë një kapitull të ri juridik dhe politik, pasi palët kanë të drejtë ta kundërshtojnë atë në shkallën e apelit.
Burimi: Reuters/Dhomat e Specializuara
