TË FUNDIT

“Rama po përpiqet të shfajësohet”, Bytyçi për deklaratat ndaj Bidenit: Thaçi u fut në kurth nga kryeministri shqiptar

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në mbrëmjen gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane, ka folur edhe për dënimin e ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke kritikuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ish-presidentin Joe Biden.

Rama tha se SHBA-ja “mund të kishte bërë më shumë” dhe akuzoi Bidenin se e kishte “tradhtuar” Thaçin, të cilin e cilësoi si “George Washington-in e Kosovës”.

“Si shqiptarë jemi miq me më të mirët dhe më të fortët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jam i sigurt që ky vend mund të kishte bërë më shumë, së pari e më së shumti të mos lejonte që kjo farsë të niste”, deklaroi kreu i qeverisë për dënimin e ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Ai nuk është me ne sot këtu, sepse ky vend e tradhtoi, Joe Biden e tradhtoi! Ky vend nuk bëri më të mirën për Hashim Thaçin, George Washington-in e Kosovës”, theksoi ai.

Lidhur me këtë deklaratë, profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, e ka kritikuar ashpër Ramën për deklaratat e tij lidhur me administratën amerikane dhe rolin e saj në rastin e Thaçit, duke pretenduar se kryeministri shqiptar po përpiqet të krijojë afërsi me presidentin aktual amerikan, Donald Trump.

ImageEnver BytyçiFoto galeri
“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është tashmë një figurë e diskredituar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Protestat në Tiranë e gjithandej në diasporë ia kanë çjerrë maskën, por, megjithatë, ai vazhdon të luajë me fjalën. Në mbrëmjen gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane, ai foli edhe për çështjen e Gjykatës së Hagës dhe, si gjithnjë, mori në mbrojtje ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Shkoi deri atje sa të shpifë për administratën Biden, duke e bullizuar atë për gjoja “tradhti” ndaj Hashim Thaçit. “Joe Biden, tha Rama, e tradhtoi. Ky vend nuk bëri më të mirën për Hashim Thaçin, George Washingtonin e Kosovës”. Kjo deklaratë e kreut të ekzekutivit të Shqipërisë është shumë shqetësuese. Kjo, sepse ai nuk thotë të vërtetën. Gënjen ditën për diell. Pse e them këtë?

Sepse Gjykata Speciale u krijua në periudhën e administratës Obama dhe Hashim Thaçi u akuzua dhe u arrestua në kohën kur SHBA-të u qeverisën në mandatin e parë të Donald Trumpit. Joe Biden nuk ishte prezent në asnjërin prej këtyre momenteve kulminante të asaj që ndodhi me Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë. Obama imponoi gjithashtu bisedimet me Serbinë, imponoi edhe Dhomat e Specializuara. Presidenti Trump nuk ndërhyri që të ndalohej së paku arrestimi i Hashim Thaçit. Prandaj, edhe deklarata e Edi Ramës dhe kritika e tij ndaj Obamës ishte dhe mbetet një gënjeshtër e pastër. Po pse atëherë ky padishahu ynë ia veshi Bidenit atë që ka ndodhur në Hagë?”, ka thënë ai.

Sipas Bytyçit, deklaratat e Ramës ndaj ish-presidentit amerikan Joe Biden lidhen me përpjekjet e tij për të krijuar marrëdhënie me administratën aktuale amerikane.

“Arsyeja është shumë e qartë. Kush është në teh të kritikës së presidentit aktual, Donald Trump, sot në SHBA? Joe Biden. Atëherë, hajde t’i turremi këtij me shpifje, që të fitojë “miqësinë me Donald Trump”! Gjithçka ka përmbysur dhe gjithçka do të përmbysë Edi Rama, që t’i futet nën pantallona presidentit aktual amerikan. Kjo është arsyeja pse ai atakoi ish-presidentin Biden. Por kjo lojë e ndyrë e tij nuk mund të kalojë aq lehtë edhe te administrata Biden. Në këtë administratë nuk ka njerëz aq naivë sa të mos kuptojnë lojën me fjalë të Edi Ramës. Një person që tradhton ish-tutorin e vet, George Soros dhe presidentin e preferuar të Sorosit, nuk shihet me simpati nga një administratë pasardhëse, si kjo e Donald Trumpit. Përkundrazi.

Amerika nuk është si Shqipëria. Ajo nuk vrapon për të marrë nën sqetull ish-kundërshtarët e njërës apo tjetrës administratë. Por Edi Rama i llogarit skemat sipas modelit që ai aplikon vetë në Shqipëri. Në këtë kuptim, ai duhet ta dijë se nuk ka asnjë shans të shënojë pikë në marrëdhëniet me Donald Trumpin. Aq më tepër që skandalet në Shqipëri nuk kanë të sosur, që administrata publike, kabineti qeveritar dhe të gjitha institucionet janë kapur nga krimi i organizuar, korrupsioni dhe kartelet e drogës. Aq sa vetë shteti është shndërruar tashmë në një organizatë kriminale të frikshme për fatet e Shqipërisë”, ka potencuar Bytyçi.

Profesori është ndalur edhe te roli që ka pasur Edi Rama në zhvillimet që lidhen me Gjykatën Speciale dhe çështjen e Hashim Thaçit.

“Nga ana tjetër, Edi Rama nuk ka pse të fajësojë Amerikën apo dikë tjetër për rastin Thaçi. Aq më tepër kur vetë bëhesh vegël e Obamës për ta krijuar Gjykatën Speciale, nuk ke integritet të akuzosh të tjerët. Nëse ai di diçka që ne nuk e dimë, atëherë le ta thotë dhe, në këtë rast, mund ta arsyetojmë deklaratën e tij. Hashim Thaçi u dënua për shkak se kryeministri i Shqipërisë hodhi dy hapa të gabuar për ta tërhequr Hashim Thaçin në axhendën e tij anti-shqiptare. E joshi dhe i bëri madje presion që Thaçi të merrte përsipër protagonizmin e ndarjes së Kosovës. Në këtë rast, fuqitë europiane, të cilat ishin kundër ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, nuk patën mundësi tjetër të ndalimit të këtij akti. Ndërhynë dhe Prokurori Special publikoi akuzën ndaj presidentit të Kosovës. Publikimi i akuzës e neutralizonte çdo mundësi që ai të nënshkruante aktin e ndarjes së Kosovës. Ishte Rama ai që e futi Thaçin në këtë kurth, sigurisht në harmoni e në marrëveshje me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq”, ka shtuar ai.

Po ashtu, Bytyçi ka folur edhe për rolin e Ramës në procesin e krijimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke thënë se kryeministri shqiptar kishte synuar të merrte një rol të rëndësishëm në këtë proces.

“Nga ana tjetër, Rama u përpoq dhe ia arriti deri diku të merrte rolin e aktorit kryesor për votimin në Kuvendin e Kosovës të krijimit të Gjykatës Speciale. Shkoi në Prishtinë, madje me urgjencë dhe me tam-tame të mëdha, dhe dha njoftimin në kancelaritë e interesuara se kjo gjykatë do të krijohej nga vetë Kosova, pasi kishte përforcuar kërcënimet se, në të kundërt, këtë do ta bënte Këshilli i Sigurimit. Disa e minimizojnë rolin e kryeministrit Rama për krijimin e Dhomave të Specializuara. Por ai, duke luftuar për protagonizëm, e shumëfishon atë rol vetë. Është në natyrën e tij të luftojë për trofe në luftën për pushtet.

Prandaj, edhe deklaratën e tij të bërë në Nju Jork e shoh si përpjekje të tij për t’u shfajësuar për prapësitë e tij dhe kontributin që ka dhënë për atë që ndodhi më 16 shtator në Hagë. Megjithatë, Rama është i lumtur derisa vetë i dënuari kryesor, Hashim Thaçi, vazhdon t’i thurë lëvdata atij!”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *