TË FUNDIT

Nga A5 në A6: Sa janë gjasat që Kosova të bëhet pjesë e plotë e Kartës së Adriatikut?

Kërkesa e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufca, që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut ka hapur një debat të ri për pozitën e vendit në arkitekturën rajonale të sigurisë.

Konjufca, gjatë takimit të asociacionit, e argumentoi këtë kërkesë me situatën konkrete të sigurisë në Kosovë, duke përmendur sulmin terrorist në Banjskë dhe atë ndaj kanalit të Ibër-Lepencit.

Sipas tij, Kosova i ka zmbrapsur të dyja këto sulme dhe “triumfoi”, duke dëshmuar kapacitetin e saj për t’u përballur me kërcënimet e sigurisë. Por, përtej argumentit të sigurisë, anëtarësimi i plotë në Kartën e Adriatikut kërkon edhe konsensus politik e diplomatik ndërmjet vendeve anëtare.

Në këtë drejtim, mosnjohja e Kosovës nga disa shtete dhe veçanërisht qëndrimi i Bosnjë-Hercegovinës mund të paraqesin sfida për avancimin e kësaj kërkese.

Sa e realizueshme është kërkesa për shndërrimin e A5 në A6 dhe cilët janë hapat diplomatikë që Kosova duhet të ndërmarrë për ta bërë këtë objektiv konkret?

Kërkesa që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut dhe që A5 të shndërrohet në A6 është një çështje me peshë të drejtpërdrejtë për sigurinë e Kosovës

ImageDashnim HebibiFoto galeri
Presidenti i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Jugindore me qendër në Zürich, Dashnim Hebibi për “Bota sot” thotë se objektivi është i realizueshëm si synim diplomatik, por nuk mund të arrihet vetëm përmes deklaratave publike.

Sipas tij, Kosova tashmë ka statusin e vëzhguesit në Kartën e Adriatikut, çka krijon një bazë institucionale për të kërkuar avancimin drejt anëtarësimit të plotë.

Duke iu referuar argumenteve të ministrit Glauk Konjufca për sulmin në Banjskë dhe ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, Hebibi thekson se këto raste janë të rëndësishme nga perspektiva e sigurisë, pasi tregojnë se Kosova përballet drejtpërdrejt me kërcënime. Megjithatë, ai nënvizon se nevoja për siguri, vetvetiu, nuk është e mjaftueshme për anëtarësim.

“Për anëtarësim duhet të ndërtohet konsensus politik ndërmjet vendeve anëtare”, shprehet Hebibi për ‘Bota sot’.

Sipas tij, pengesa kryesore është politike dhe diplomatike. Ai rikujton se Kosova e ka kërkuar edhe më herët anëtarësimin e plotë, por procesi nuk është përmbyllur, ndërsa një prej çështjeve më të ndërlikuara ka qenë qëndrimi i Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Në këtë drejtim, Hebibi vlerëson se Prishtina duhet të ndryshojë qasjen dhe të mos fokusohet vetëm te argumenti se Kosova “e meriton” anëtarësimin.

“Duhet të ndërtohet një situatë ku partnerët të arrijnë në përfundimin se prania e Kosovës e forcon Kartën e Adriatikut dhe bashkëpunimin rajonal të sigurisë. Ky duhet të jetë argumenti qendror”, thekson ai.

Hebibi propozon krijimin e një grupi të posaçëm diplomatik për A6, ku do të përfshiheshin Presidenca, Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme. Sipas tij, ky grup duhet të ketë mandat të qartë për të përcaktuar shtetet që duhet të bindën, argumentet që duhet të përdoren, pengesat që duhet të adresohen dhe afatet për secilin hap.

Ai konsideron të rëndësishme edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

“Prishtina duhet të zhvillojë konsultime të drejtpërdrejta me Washingtonin dhe të kërkojë që mbështetja amerikane për integrimin e Kosovës në mekanizmat rajonalë të sigurisë të shprehet sa më qartë. SHBA-ja është anëtare e A5 dhe partner strategjik i Kosovës. Kjo duhet të shfrytëzohet diplomatikisht”, thotë Hebibi.

Një tjetër element, sipas tij, duhet të jetë koordinimi ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës. Hebibi vlerëson se Shqipëria mund ta mbështesë Kosovën brenda strukturave të A5 dhe përmes kontakteve bilaterale me vendet anëtare.

“Mesazhi duhet të jetë i qartë: anëtarësimi i Kosovës nuk është projekt kundër askujt; është projekt për forcimin e sigurisë rajonale”, shprehet ai.

Duke pasur parasysh presidencën kroate të A5 gjatë vitit 2026, Hebibi thotë se Kosova duhet të zhvillojë diplomaci intensive me Zagrebin dhe të kërkojë që çështja e saj të mbetet në agjendën e diskutimeve.

“Kjo është një dritare diplomatike që duhet përdorur”, thekson ai.

Në të njëjtën kohë, Hebibi konsideron të rëndësishme punën me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar prej tyre mbështetje dhe koordinim diplomatik për anëtarësimin e Kosovës.

Sa i përket Bosnjës dhe Hercegovinës, Hebibi e konsideron këtë një nga pikat më të vështira, por edhe më të rëndësishme të diplomacisë kosovare.

“Nëse Bosnja dhe Hercegovina ka qenë pengesë në të kaluarën, atëherë Prishtina duhet të investojë drejtpërdrejt në diplomaci me Sarajevën. Jo me akuza. Jo me ultimatum. Por me një mesazh shumë të qartë: anëtarësimi i Kosovës në A5 nuk është një akt kundër Bosnjës dhe Hercegovinës. Është pjesë e bashkëpunimit rajonal për sigurinë”, deklaron Hebibi.

Ai propozon gjithashtu që Kosova të identifikojë faktorët institucionalë dhe politikë brenda Bosnjës që mund të ndihmojnë në gjetjen e një formule të pranueshme.

Sipas Hebibit, Kosova nuk duhet të shkojë në diplomaci vetëm me kërkesën “na pranoni”, por duhet të tregojë se çfarë mund t’i ofrojë bashkëpunimit rajonal.

Në këtë kuadër, ai përmend bashkëpunimin kundër kërcënimeve hibride, mbrojtjen e infrastrukturës kritike, sigurinë kibernetike, luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, shkëmbimin e informacionit, trajnimet dhe ushtrimet e përbashkëta, bashkëpunimin civil-ushtarak dhe reagimin e përbashkët ndaj krizave.

“Kjo e ndryshon krejt narrativën diplomatike”, thotë Hebibi.

Ai vlerëson se rastet e Banjskës dhe sulmit ndaj Ibër-Lepencit duhet t’u prezantohen partnerëve ndërkombëtarë në mënyrë profesionale, jo vetëm si akuza politike, por si raste konkrete që dëshmojnë rëndësinë e mbrojtjes së infrastrukturës kritike dhe të bashkëpunimit rajonal të sigurisë.

“Nëse kërcënimet ndaj sigurisë janë rajonale, atëherë edhe mekanizmat e sigurisë duhet të jenë sa më gjithëpërfshirës”, shprehet ai.

Hebibi e sheh edhe KFOR-in si një element të rëndësishëm në këtë qasje.

Sipas tij, Kosova duhet të tregojë se prania e KFOR-it dhe partneriteti me NATO-n dhe SHBA-në nuk e bëjnë Kosovën vetëm përfituese të sigurisë.

“Përkundrazi, Kosova dëshiron të kalojë nga një aktor që kërkon siguri në një aktor që kontribuon gjithnjë e më shumë në sigurinë rajonale. Ky është një argument shumë më i fuqishëm në tavolinën diplomatike”, thekson Hebibi.

Ai propozon edhe përgatitjen e një dokumenti të përbashkët politik, të cilin e quan “Kosova A6 Initiative”. Në të, sipas tij, duhet të paraqiten arsyet e kërkesës për anëtarësim, kontributi që Kosova mund të japë, përfitimet për sigurinë rajonale, angazhimet që merr Prishtina dhe mënyra se si do të adresohen shqetësimet e vendeve që kanë rezerva.

Në fund, Hebibi thekson se për një çështje të tillë strategjike Kosova duhet të ketë koordinim sa më të gjerë politik.

“Duhet të ketë dallime politike, kritika dhe mendime të ndryshme. Por për çështje si siguria, integrimi euroatlantik dhe forcimi i pozitës ndërkombëtare, duhet të ketë koordinim sa më të gjerë”, thotë ai.

Sipas tij, në vend që debati të përqendrohet te pyetja “kush e ka fajin?”, diplomacia kosovare duhet të fokusohet te pyetjet se cili partner duhet bindur, çfarë mund t’i ofrojë Kosova rajonit, si të sigurohet mbështetja amerikane, si të shfrytëzohet presidenca kroate dhe si të tejkalohet pengesa politike me Bosnjën dhe Hercegovinën.

“Kërkesa për A6 nuk duhet të mbetet vetëm një deklaratë e ministrit të Jashtëm. Ajo duhet të shndërrohet në projekt shtetëror diplomatik”, përfundon Hebibi.

Ai e përmbledh qasjen e tij me një mesazh: “Jo përçarje. Jo gjuajtje faji. Jo retorikë që mbyll dyer. Por diplomaci që hap dyer.”

Sipas tij, Kosova duhet ta kërkojë A6 me vendosmëri, por ta ndërtojë atë me durim, argumente, aleanca dhe punë diplomatike, në mënyrë që partnerët ta shohin praninë e Kosovës në këtë mekanizëm si forcim të sigurisë së përbashkët.

“Askush nuk mund ta ndërtojë të ardhmen i vetëm. Siguria dhe paqja janë më të qëndrueshme kur ndërtohen së bashku.”

ImageShefqet AvdimetajFoto galeri
Kurse, eksperti Shefqet Avdimetaj e konsideron të arsyeshme kërkesën e ministrit Glauk Konjufca që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut, veçanërisht duke marrë parasysh situatën e sigurisë në rajon.

Avdimetaj thekson se sulmi në Banjskë dhe ai ndaj kanalit të Ibër-Lepencit tregojnë se kërcënimet ndaj Kosovës janë reale dhe se siguria e vendit është e ndërlidhur drejtpërdrejt me sigurinë rajonale.

“Në këtë kuptim, Kosova nuk duhet të jetë vetëm pjesëmarrëse periferike, por një aktore që kontribuon në mekanizmat e sigurisë”, shprehet ai.

Megjithatë, sipas Avdimetajt, realizimi i kësaj kërkese nuk është proces i thjeshtë. Ai vlerëson se pengesa kryesore mbetet politike dhe diplomatike, veçanërisht për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga Bosnjë-Hercegovina dhe nevojës për konsensus brenda Kartës së Adriatikut.

“Argumentet e Kosovës në fushën e sigurisë janë të rëndësishme, por ato duhet të shoqërohen me një angazhim të fuqishëm diplomatik dhe me mbështetje të koordinuar nga partnerët ndërkombëtarë”, thotë Avdimetaj.

Sipas tij, kërkesa e Konjufcës duhet parë edhe si përpjekje për ta rikthyer Kosovën në qendër të diskutimeve për arkitekturën e sigurisë rajonale.

“Anëtarësimi i plotë nuk është i pamundur, por kërkon konsensus politik dhe punë diplomatike. Nëse Kosova arrin të sigurojë mbështetje më të gjerë të shteteve anëtare dhe të partnerëve euroatlantikë, atëherë kjo kërkesë mund të ketë një perspektivë më konkrete për t’u realizuar”, përfundon Avdimetaj për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *