POLITIKATË FUNDIT

Rama kundërshton kritikët e Ukrainës për çështjen e Kosovës, ngrihen pikëpyetje të forta ndaj tij

Kryeministri Edi Rama ka ndezur një debat të fortë politik pas deklaratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky se Ukraina nuk do ta njohë Kosovën. Rama, duke iu përgjigjur reagimeve në Shqipëri dhe Kosovë, ka kritikuar ata që sipas tij e kanë kthyer mbështetjen ndaj Ukrainës në një çështje “llogarie” dhe “kalkulatori gjeopolitik”.

“Miku im i dashur, Volodymyr Zelensky, qëndroi në Beograd dhe tha se Ukraina nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Brenda një ore, nacionalistët më të zhurmshëm në Tiranë dhe në Pristinë po merrnin tashmë kalkulatorin gjeopolitik: ndoshta duhet ta ndëshkojmë Ukrainën, të ndalojmë së brohorituri për të lirët dhe të vajtuarit për të bombarduarit. Më të pamaturit midis tyre na hodhën gurë që nuk hoqëm dorë nga Ukraina. Disa madje brohoritën për Rusinë!”, shkroi Rama.

Rama argumentoi se mbështetja ndaj Ukrainës nuk mund të kushtëzohet nga qëndrimi i saj për Kosovën, duke theksuar se Shqipëria duhet të mbështesë të drejtën e Kievit për liri dhe mbrojtje ndaj agresionit rus.

“Ukraina mund të jetë, dhe po, gabon për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme, dhe të luftosh për këtë të drejtë do të thotë të luftosh për Evropën dhe për veten tonë gjithashtu. Këto të vërteta mund të gjenden shumë mirë në të njëjtën fjali. Shqipëria është mjaftueshëm e rritur për t’i mbajtur të dyja dhe do t’i mbajë të dyja. Pra, po: UKRAINA E LIRË. Sot, nesër dhe gjithmonë.”

Por, a është kjo qasje e mjaftueshme përballë interesave të Kosovës? A duhet Shqipëria ta mbështesë Ukrainën pavarësisht qëndrimit të Kievit për njohjen e Kosovës, apo politika e jashtme e Tiranës duhet të marrë parasysh edhe interesat e Prishtinës?

A është shqetësimi për mosnjohjen e Kosovës nga Ukraina një reagim i natyrshëm kombëtar apo, siç e cilëson Rama, një formë “nacionalizmi folklorik”? Dhe sa e qëndrueshme është diplomatikisht qasja e kryeministrit shqiptar kur kritikat ndaj Kievit për Kosovën vendosen në të njëjtën kornizë me qëndrimet pro-ruse?

Për këtë çështje, për “Bota sot” folën opinionisti Skënder Kapiti dhe publicisti Llesh Ndoj.

Kapiti: “Sa të jetë Rama kryeministër, Kosova mos të presë kurrë mbështetje”

Si fillim, opinionisti Skënder Kapiti ka një qëndrim të ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke argumentuar se Kosova nuk duhet të presë mbështetje të sinqertë nga Tirana për sa kohë Rama është në krye të qeverisë shqiptare.

“Sa të jetë kryeministër në Shqipëri Edi Rama, Kosova mos të presë kurrë ndihmë, mbështetje dhe as sinqeritet nga qeveria shqiptare. Deklarimi nga Zelenski se Ukraina nuk do ta njohë Kosovën, në një kohë kur Kosova dhe Shqipëria, pavarësisht se janë dy shtete të pafuqishme dhe të patakate politike, ushtarake dhe ekonomike, nuk duhet të dalin në pararojë të ngjarjeve ndërkombëtare, se nuk i pyet puna për asgjë.

Mos t’ia bëjnë si puna e Enver Hoxhës, që gjithë ditën regjimi i tij shante Perëndimin, derisa edhe Stalini i kishte thënë: mjaft, se nuk ke takat për të na e kaluar edhe neve si armik i imperializmit.

Më thoni ju në Kosovë se kur Edi Rama ia ka dashur të mirën Kosovës, por ai gjithmonë ka qenë kundër saj në deklarime dhe veprime. Mos t’ju duket habi pse Rama është me Ukrainën, pasi ai më shumë ka qenë gjithmonë afër me Beogradin sesa me Kosovën. Deklaratat e tij janë në një linjë me Beogradin”, deklaroi ai për “Bota sot”.

ImageSkënder KapitiFoto galeri
Kapiti më tej e lidh qëndrimin e tij me marrëdhëniet e Ukrainës me Kosovën dhe me zhvillime të tjera politike në rajon, duke ngritur kritika edhe ndaj ish-presidentes Vjosa Osmani dhe vendimeve të saj në raport me Ukrainën dhe UÇK-në.

“Por, me këtë rast, dua të kujtoj edhe atë se si i dekoroi ish-Presidentja, zonja Osmani, ushtarët ukrainas dhe nuk dekoroi asnjë luftëtar të UÇK-së nga Shqipëria, në një kohë kur dihet se Ukraina ka ndihmuar ushtarakisht Maqedoninë kundër luftëtarëve të UÇK-së. Dhe si ka mundësi që kjo ish-Presidente, me ndihmën e Edi Ramës dhe koalicionit me PDK, LDK e AAK, ndërmori një dekret antikushtetues të puçit institucional parlamentar për ta çuar Kosovën në zgjedhje të parakohshme. Dhe kjo na deshi të rizgjidhej edhe presidente, por që anëtarësia e LDK-së bëri gjënë e duhur, se pavarësisht se ishte në krye të listës së deputetëve, asaj i dhanë vota që e skualifikuan si figurë politike të rëndësishme, gjë të cilën ia kishte mundësuar gabimisht Albin Kurti. Dhe çfarë pret Kosova nga Rama?”

Opinionisti përmend edhe një sërë deklaratash dhe qëndrimesh të mëparshme të Ramës, përmes të cilave argumenton se kryeministri shqiptar nuk ka mbajtur një politikë në interes të Kosovës.

“A nuk ishte ai i cili tha se Mitrovica e Veriut është tokë e askujt; se janë gomarë ata të cilët kundërshtojnë ndarjen e Kosovës; a nuk anuloi mbledhjet e dy qeverive shqiptare pse Kosova vendosi autoritetin shtetëror mbi të gjithë territorin; a nuk ishte ai që kërkoi një Konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe vendosjen e Veriut të Kosovës nën pushtetin e NATO-s për ta mbrojtur minoritetin serb, qëllim ky për ndarjen e Kosovës. Të thuash se ky e do Kosovën, duke u deklaruar djallëzisht se Serbia e ka humbur Kosovën, këtë vetëm Beogradi e ka thënë, sepse kjo do të thotë se Kosova paska qenë e Serbisë, por tani e ka humbur. Pra, sipas Ramës, na del se Serbia e paska humbur Kosovën e saj, dhe nuk thotë Rama se Kosova e ka fituar tashmë lirinë dhe shtetin e saj, se Kosova është shqiptare.”

Kapiti e sheh qëndrimin e Ukrainës për Kosovën si një llogari diplomatike të Kievit dhe ngre pikëpyetjen se çfarë përfitimi kanë shqiptarët nga mbështetja ndaj një shteti që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Nëse Ukraina nuk do ta njohë kurrë Kosovën, atëherë çfarë interesi kanë shqiptarët që të dalin në mbrojtje ndaj Ukrainës? Kush nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, kjo, si politikë e diplomaci e atyre shteteve, është njësoj si ajo e Kinës, Rusisë etj.

Diplomacia është llogari në fund të fundit, dhe këtë llogari e bën mirë Ukraina, pasi ajo mendon se më mirë të mos e njohë Kosovën, në mënyrë që t’ia bëjë qejfin Serbisë, që ta zbusë Serbinë, që është aleatja më e madhe në Ballkan e Rusisë dhe Kinës. Politika e Tiranës gjithmonë ka zhvilluar një diplomaci tinëzare kundër Kosovës, mirëpo Edi Rama këtë pabesi ndaj Kosovës e bën gjithmonë hapur.”

Në përfundim, Kapiti kërkon nga Kosova një politikë më të matur dhe realiste, duke paralajmëruar se Prishtina nuk duhet të marrë përsipër angazhime që tejkalojnë fuqinë e saj politike e diplomatike.

“Edhe Kosova të mos marrë mbi supe gjëra që nuk i mban, mos të marrë shembullin e diktaturës së Enver Hoxhës, që e bëri Shqipërinë të vetmin vend ateist në botë dhe e vendosi Shqipërinë kundër botës demokratike. Kosovës i duhet një politikë e urtë, e matur, reale dhe sipas takatit që ka, dhe jo emocionale e as e ngutshme. Nuk mund të presësh ndihmë nga një kryeministër, i cili gjysmën e qeverisë e ka në burg për korrupsion.”

Ndoj: Reagimet popullore në Kosovë dhe në Shqipëri ndaj Zelenskit janë të pranueshme e plotësisht të justifikuara

Ndërsa, publicisti Llesh Ndoj thotë se deklaratat e Zelenskyt mund të kuptohen edhe në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe nevojës së Kievit për të siguruar mbështetje ndërkombëtare.

Ndoj në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” thekson se reagimi i parë i tij si shqiptar ndaj deklaratës së presidentit ukrainas ishte negativ, por më pas, duke parë rrethanat në të cilat ndodhet Ukraina, e ka analizuar situatën ndryshe.

“Politika e jashtme dhe diplomacia nuk mund të jenë fusha ku bën punë folklori, as ara ku kushdo mundet me mbjellë domate, soeca, trendafila apo murriza. Edhe fjalët e mija në vijim, të tilla i konsideroni, pasi fusha për të cilën jeni e interesuar të dini mendimin tim, nuk hyn në ato “ara” ku unë jam kompetent të lëvroj me mendimet e mija modeste.

Sidoqoftë unë e kam mendimin tim, të cilin modestisht e në respekt të kërkesës suaj, po e ndaj me Ju.

Si çdo shqiptarë, kur e dëgjova shprehjen e Zelenskit në Beigrad e qëndrimin e tij rreth çështjes së Kosovës, u revoltova e thashë në “djall vafshi” me atë politikën tuaj. Por shpejt reagova vetëmëveti e thashë: a t’ua hedhim një sy rrethanave në të cilat ndidhet Ukrahina dhe Presidenti Zelenksu?! Logjika më çoi të mendoj se ata janë në kushtet e kërcënimit ekzistencial dhe po mundohen të sigurojnë armë e muncione ndaj Rusisë së Putinit, në kushte krejt të pabarabarta numerike, ushtarake e diplomatike. Mendimi i Zelenksit besoj shkon aty ku i dhemb shpirti: të shkëpus ç’mund të shkëpusë nga një aket prorus në këtë luftë të mundimshme më shumë se katërvjeçare.”

ImageLlesh NdojFoto galeri
Ndoj vlerëson se reagimet e qytetarëve në Kosovë dhe Shqipëri janë të kuptueshme, por dallon mes reagimit publik dhe përgjegjësisë që kanë institucionet shtetërore në raport me diplomacinë ndërkombëtare.

“Reagimet popullore në Kosovë dhe në Shqipëri ndaj Zelenskit janë të pranueshme e plotësisht të justifikuara, ndërkohë që politikat qeveritare paraqesin defiçensa të dukshme. Kosova, sa di unë, edhe për shkaqet ku gjendet lidhur me institucionet shteformuese, nuk ka një reagim. Kjo, sipas meje është shumë e padobishme. Qeveria shqiptare reagoi përmes Ministrit përgjegjës dhe Kryeministrit. Bëri thjesht një pjesë të detyrës. Si shqiptarë reagimi m’u duk i vajët, por si shtetar që i duhet të ruaj ekulibrin në ujërat e trazuara të politikës ndërkombëtare, reagimi i tyre m’u duk korrekt. Kosova është e pakrahasueshme me çdo rast tjetër, ajo s’mund të ishte e s’mund të jetë çështje e brendshme e askujt, veç shqiptarëve, e kjo ishte diplomatikisht mjaft.”

Megjithatë, Ndoj kritikon disa prej formulimeve të Ramës në planin e brendshëm kombëtar, duke argumentuar se politika duhet të tregojë më shumë kujdes për çështjet që lidhen me identitetin dhe kohezionin shqiptar.

“Ndërsa në planin e jashtëm diplomatik gjuha e Ramës më erdhi e drejtë, në planin e brendshëm kombëtar disa cilësime të tij meritojnë të kritikohen. Për shkaqe subjektive e faje të dy liderëve shqiptarë në Kosovë e Shqipëri ka kohë që forcat që duhet të sillnin kohezionin e brendshëm proshqiptarë, janë duke udhëtuar në kahjen e kundërt. Edhe pse folklorizma, ato që përbëjnë ashtin e të qënit shqiptarë, politika, andej e këndej, duhet të bëj më shumë kujdes për t’i ruajtur. Përçarjen tonë e do vetëm Serbia me idetë e saj hegjemoniste.”

Publicisti vlerëson se Rama, pavarësisht kufizimeve, ka një performancë më të mirë në politikën e jashtme sesa në atë brendashqiptare dhe se mbështetja ndaj Ukrainës duhet të vazhdojë.

“Rama, megjithë kufizimet që ka, në politikën e jashtme performon më mirë se në atë brendashqiptare. Nuk e përkrahu Zelenksin, por deklaroi vazhdimin e mbështetjes ndaj Ukrahinës. Pse? Ne gjithnjë duhet t’i mbështetim vendet që janë ose rrezikojnë të bien pre e politikave nacionaliste-gllabëruese të të tjerëve, pasi kështu mbrojmë veten. Nga ana tjetër, duhet të mos harrojmë: mbështetja jonë mbetet thjesht simbokike. Ndaj bindjen se në kushte paqe (shpresoj që ajo të vije edhe për Ukrainën!), Rama në mes të Kievit do t’ia kishte përplasur qëndrimin e vet kundër Zelenksit.

Diplomacia kërkon mendje të ftohta, ndërsa armët po vringëllojnë rreth nesh, jo si konvencion, por si realitet”, përmbylli Llesh Ndoj për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *