TË FUNDIT

Protestuesit tentojnë të pengojnë Policinë e Kosovës gjatë kryerjes së detyrës (VIDEO)

Situata është tensionuar para Kuvendit të Kosovës, ku protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim” kanë tentuar të pengojnë Policinë e Kosovës gjatë kryerjes së detyrës.

Protestuesit, të cilët po qëndrojnë para Kuvendit, po kërkojnë procedimin urgjent dhe miratimin përfundimtar të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Kuvendi i Kosovës sot e ka miratuar në lexim të parë këtë projektligj, me 90 vota për dhe asnjë kundër.

Pavarësisht miratimit në lexim të parë, protestuesit kanë bërë të ditur se nuk do ta përfundojnë protestën dhe do të qëndrojnë para Kuvendit deri në votimin përfundimtar të ligjit.

Organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka deklaruar se protesta do të vazhdojë deri në miratimin e plotë të ndryshimeve ligjore.

“Nuk zmbrapsemi. Leximi i parë kaloi, por ne do të qëndrojmë këtu derisa të kalojë edhe leximi i dytë. Kërkesa jonë është miratimi i ligjit deri në fund”, ka deklaruar Haziri.

Protestuesit po qëndrojnë para Kuvendit në ditën e 20-të të protestës, ndërsa kërkesa e tyre mbetet përfundimi i procedurës dhe votimi i projektligjit në lexim të dytë.

“Nuk largohemi. Presim votimin në lexim të dytë”, ka thënë Haziri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *