POLITIKATË FUNDIT

Nuk do të ketë “lehtësim” të sanksioneve derisa Rusia ta ndalë luftën, thonë dy zyrtarët e lartë të BE-së

Bashkimi Evropian do ta ruajë regjimin e sanksioneve kundër Rusisë derisa Moska t'i japë fund luftës së saj të agresionit ndaj Ukrainës.

Këtë e konfirmuan të premten Ursula von der Leyen dhe António Costa në një bisedë me Volodymyr Zelenskyn.

Komentet e tyre përbënin një kritikë të qartë ndaj presidentit amerikan Donald Trump, për shkak të lehtësimit të sanksioneve ndaj Rusisë me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për furnizimin me naftë (dizel) me homologun e tij rus, Vladimir Putin.

Kjo marrëveshje ka zemëruar Ukrainën dhe ka shkaktuar shqetësim te aleatët evropianë, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.

"Një gjë është krejtësisht e qartë: ne nuk do të heqim asnjë sanksion për sa kohë që Rusia nuk e ndalon luftën", deklaroi të premten në mëngjes presidentja e Komisionit Evropian.

"Nuk është koha për të lehtësuar sanksionet ndaj Rusisë. Tani është koha për të shtuar mbështetjen dhe për të rritur presionin", ka vlerësuar Costa, presidenti i Këshillit Evropian.

Zelensky i falënderoi liderët evropianë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, duke i cilësuar në mënyrë të veçantë si "liderë të vërtetë" që kanë qëndruar në krah të Ukrainës që nga fillimi i luftës.

"Nuk shohim asnjë sinjal nga pala ruse se ata janë të gatshëm t'i japin fund kësaj lufte", tha presidenti ukrainas.

"Prandaj duhet të përgatitemi për dimrin. Një paketë dimërore. Nuk bëhet fjalë vetëm për energjinë, por edhe për mbrojtjen ajrore dhe financimet".

Ndërkohë, Trump e ka sulmuar sërish Zelenskyn, duke e quajtur strategjinë e tij për të goditur rafineritë ruse të naftës një "turp" dhe duke kërkuar zgjedhje të reja në vend.

"E kam më të vështirë të merrem me Zelenskyn sesa me Putinin", i tha Trump televizionit Newsmax.

Kjo përplasje e ashpër pritet të jetë në qendër të vëmendjes në ditën e dytë të samitit të BE-së. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *