Qeveria hap aplikimin për subvencionimin e faturave të energjisë për familjet në nevojë
Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka njoftuar se është hapur afati i aplikimit për përfitim nga Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike për vitin 2026–2027.
Sipas njoftimit, mbështetja ofrohet në formën e subvencionimit të faturës së energjisë elektrike për ekonomitë familjare që i plotësojnë kriteret e përcaktuara sipas programit dhe vendimit përkatës.
“Të drejtë aplikimi kanë ekonomitë familjare që i plotësojnë kushtet dhe kriteret e Programit. Aplikimi bëhet nga një anëtar i ekonomisë familjare dhe lidhet vetëm me një njehsor elektrik” – thuhet në njoftim.
Ndërsa thuhet se afati i aplikimit është nga 19 tetor 2026 deri më 31 mars 2027.
Aplikimi bëhet përmes platformës eKosova, në kategorinë e shërbimeve “Familja”, në linkun: https://ekosova.rks-gov.net/Service/1 .
Ministria ka njoftuar se familjet që nuk kanë mundësi të aplikojnë ne mënyre elektronike mund të marrin ndihmë në Qendrat për Punë Sociale.
“Subvencionimi fillon nga muaji i aprovimit të aplikimit dhe nuk zbatohet në mënyrë retroaktive. Për të përfituar gjatë gjithë periudhës së programit, rekomandohet aplikimi sa më i hershëm”- thuhet në njoftim.
Ndërsa theksohet se të dhënat e deklaruara gjatë aplikimit verifikohen nga institucionet përkatëse dhe se deklarimi i pasaktë ose i paplotë mund të rezultojë në refuzimin e aplikimit ose kthimin e mbështetjes së përfituar.
