TË FUNDIT

Intervistë me Filip Radunović nga GIZ: Sfidat dhe e ardhmja e mediave në Ballkan

Qëndrueshmëria e mediave në Ballkanin Perëndimor kërkon më shumë sesa mbështetje financiare: nevojiten kushte të drejta tregu, liri e medias dhe investime që i shërbejnë interesit publik.

Kështu vlerëson Filip Radunović, udhëheqës i programit Sustain Media në GIZ, në një intervistë për Telegrafin, në kuadër të “Forumit të Zërave Publikë”, të mbajtur javën e kaluar në Budva të Malit të Zi.

Radunović flet për rëndësinë e dialogut ndërmjet mediave dhe institucioneve, mbështetjen e GIZ-it për mediat private dhe sfidat që lidhen me pronësinë dhe ndikimin nga jashtë. Sipas tij, synimi përfundimtar është që mediat të fuqizohen deri në atë pikë sa të mund të funksionojnë në mënyrë të pavarur, pa pasur më nevojë për mbështetjen e donatorëve.

Më poshtë, intervista e plotë.

Telegrafi: Në Forumin e Zërave Publikë u diskutua për qëndrueshmërinë, pluralizmin dhe të ardhmen e mediave, si dhe për mbështetjen që ofron GIZ-i. Cila është rëndësia e këtij forumi të mbajtur në Mal të Zi?

Filip Radunović: Forumi i Zërave Publikë është një nismë e veçantë. Ky është edicioni i parë i një takimi të posaçëm në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili tashmë po zhvillohet për të njëmbëdhjetin apo të dymbëdhjetin vit. Tani, për herë të parë, Procesi i Berlinit po organizohet në Mal të Zi. Forumi i Zërave Publikë bashkon profesionistë të medias, si ju, nga sektori i mediave private, me zyrtarët më të lartë qeveritarë të Malit të Zi dhe të rajonit.

Siç e patë gjatë paneleve të fundit, patëm mundësinë të bisedonim me kryeministrin, me ministren e Çështjeve Evropiane, si dhe me përfaqësues të organizatave të tjera rajonale. Diskutuam për lirinë e medias, bashkëpunimin më të mirë ndërmjet institucioneve qeveritare dhe aktorëve mediatikë, si dhe për ndikimin keqdashës nga jashtë.

Trajtuam gjithashtu tema që lidhen me teknologjinë dhe punën e përditshme, si digjitalizimi, inovacioni dhe investimet në media. Pra, gjatë këtyre orëve mbuluam një gamë shumë të gjerë temash.

Telegrafi: GIZ-i është i përfshirë në shumë projekte në rajon, përfshirë zhvillimin e mediave. Cili është roli juaj në fuqizimin e tyre dhe çfarë synoni të arrini në të ardhmen?

Filip Radunović: Në thelb, si agjenci zhvillimi e Qeverisë Federale Gjermane, roli ynë është t’i fuqizojmë mediat private deri në atë nivel sa të mund të qëndrojnë më vete në tregjet përkatëse mediatike.

Rrethanat janë specifike për secilin vend dhe situata ndryshon ndjeshëm nga njëri vend në tjetrin. Prandaj, mediat që mbështesim i ndihmojmë përmes një skeme grantesh, asistencës teknike dhe ngritjes së kapaciteteve, në mënyrë që të mund të mbijetojnë vetë në tregjet ku veprojnë.

Shpresojmë që të mund të tërhiqemi nga rajoni kur të jenë përmbushur kushtet: të ketë kushte normale tregu, ndërhyrje shumë të pakta nga qeveritë dhe një nivel të lartë të lirisë së medias. Pra, kur mbështetja jonë të mos jetë më e nevojshme. Ky është qëllimi përfundimtar i punës sonë.

– YouTube www.youtube.com

Telegrafi: Për çfarë mbështetjeje kanë nevojë mediat në Kosovë dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor? Cilat janë nevojat që shkojnë përtej financimit?

Filip Radunović: Siç u tha edhe gjatë paneleve, ne mbështesim partnerë të ndryshëm mediatikë, si media juaj, përmes granteve konkrete, të shoqëruara me asistencë teknike dhe zhvillim të kapaciteteve. Kjo përbën thelbin e veprimtarisë sonë.

Por besoj se mediat kanë nevojë për shumë më tepër, veçanërisht duke parë situatën në tregjet e ndryshme mediatike, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet përreth.

Këto tregje, do të thosha, janë mjaft të prekura nga ndikimi keqdashës nga jashtë. Në këtë kontekst, çështja e pronësisë së mediave është ndër çështjet kryesore. Prandaj, mendoj se për çdo vend është shumë e rëndësishme të ketë mediat e veta: media që prodhojnë vetë informacion brenda atij vendi dhe që ndiqen nga publiku po në atë vend. Mendoj se kjo është thelbësore për të gjitha vendet e rajonit./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *