Ministria e Bujqësisë merr në menaxhim rreth 200 mijë hektarë prona pyjore
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se rreth 200 mijë hektarë prona pyjore, të cilat deri më tani kanë qenë nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, janë rikthyer nën menaxhimin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Sipas deklaratës së përbashkët të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, bëhet fjalë për mbi 20 për qind të territorit të Republikës së Kosovës, kryesisht prona pyjore me rëndësi të veçantë për menaxhimin dhe zhvillimin e sektorit të pylltarisë.
Në njoftim thuhet se ky vendim synon forcimin e menaxhimit institucional të pyjeve, mbrojtjen e resurseve natyrore dhe krijimin e mundësive për zhvillim të qëndrueshëm rural dhe ekonomik.
Qeveria vlerëson se kalimi i këtyre pronave nën menaxhimin e Ministrisë së Bujqësisë do të ndikojë në ruajtjen më efikase të pasurive pyjore, parandalimin e degradimit të tyre dhe rritjen e kontrollit institucional mbi këto zona.
Autoritetet kanë paralajmëruar se në fazat e ardhshme do të ndërmerren edhe hapa të tjerë për sistemimin dhe menaxhimin afatgjatë të pronave publike me interes strategjik për vendin.
