OPINIONTË FUNDIT

Pse shtetasit e Kosovës, kudo që jetojnë, duhet ta konfirmojnë Qeverinë Kurti me 60–70% të votave?

Pendesa është virtyt i atyre që e pranojnë mëkatin. Por këta jo vetëm që nuk po pendohen — përkundrazi, po e dyfishojnë arrogancën, sabotimin dhe mospërfilljen ndaj vullnetit qytetar. Prandaj edhe vota duhet të rritet edhe më fuqishëm, që pengmarrësit e opozitës ta ndiejnë në ndërgjegjen e tyre politike dhimbjen, zhgënjimin dhe durimin e shterur të popullit. Vetëm kur vota bëhet stuhi demokratike, ata që e kanë trajtuar shtetin si plaçkë personale fillojnë ta kuptojnë se populli nuk harron dhe nuk dorëzohet.

Imagjinoni, krerët e opozitës së sotme janë pasardhës politik të pareformuar të një grushti supermenësh të vetëshpallur, që luftën e shikuan më shumë nga sallonet luksoze të hoteleve shqiptare dhe evropiane sesa nga vijat e para të frontit, dhe që ia dolën që tragjedinë e popullit të tyre ta shndërrojnë në kapital privat, ndërsa gjakun e martirëve, dëshmorëve dhe heronjve në valutë politike.

Sepse sapo u shpërnda tymi i luftës, ata nuk u veshën me përgjegjësi morale, por me komoditetin e pushtetit. Në vend të betimit ndaj shtetit, ata bënë një betim të heshtur para çelësave të buxhetit publik.

Si rrjedhojë, në emër të patriotizmit ata ndërtuan perandori korrupsioni, duke e kthyer shtetin në bankomat klanesh, prokurorinë në noter të krimit politik dhe institucionet publike në strehë të militantëve partiakë, oligarkëve serbofilë dhe grabitqarëve të pamëshirshëm të pasurisë kombëtare.

Prandaj miliarda euro u zhdukën në rrugë dhe në ndërtesa të ndërtuara pa standarde, në autostrada me çmime absurde, në kontrata të fshehta, në privatizime mafioze dhe në pazare nate ku shteti shitej si mall tregu.

Por ata nuk u ndalën vetëm te hajnia.

Gazetarët kritikë dhe kundërshtarët politikë i përndoqën, i linçuan, i shantazhuan dhe i frikësuan; ndërsa shumë prej tyre përfunduan të vrarë në rrethana që edhe sot e kundërmojnë erën e shërbimeve të errëta dhe të aleancave kriminale.

Në vend të kulturës së drejtësisë, ata instaluan kulturën e frikës. Në vend të meritës, kultin e nënshtrimit. Në vend të shtetit ligjor, e ndërtuan republikën e dosjeve sekrete dhe të shantazhit politik.

Pastaj erdhi kulmi i hipokrizisë historike, sepse po ata njerëz që çdo kritik të tyre e quanin “tradhtar”, e votuan vetë Gjykatën Speciale dhe ia dorëzuan historinë e luftës së lavdishme çlirimtare një mekanizmi që më parë vetë e quanin të padrejtë.

Po ata hipokritë e cinikë e nënshkruan Asociacionin e Komunave Serbe, e pranuan fusnotën poshtë emrit të shtetit, e trajtuan demarkacionin si tregti parcelash dhe jo si mbrojtje territori, ndërsa interesat shtetërore i shndërruan në mall pazari për mbijetesën e tyre politike.

Në prapaskenë ata kultivuan lidhje me figurat më të errëta të veriut. Bashkëpunimi me Radojiçiqin dhe Veselinoviqin nuk ishte teori konspirative, por simbiozë midis politikës së korruptuar dhe krimit të organizuar. Veriu u shndërrua në bankë të zezë, në laborator kontrabande dhe në instrument presioni kundër vetë shtetit që pretendonin se po e mbronin.

Ndërkohë, pas dyerve të mbyllura, bënin pazare me Vuçiqin dhe Ramën mbi kurrizin e qytetarëve të Kosovës, duke ia shitur popullit iluzionin e “stabilitetit rajonal”, ndërsa në të vërtetë e negocionin vetëm mbijetesën e tyre politike dhe ekonomike.

Çdo marrëveshje kishte vetëm një pyetje thelbësore:

“Si ta ruajmë pushtetin dhe pasurinë tonë?”

Kur më në fund u shfaq një qeveri që nisi t’ua shkatërronte skemat e zhvatjes, ata u bashkuan si hiena rreth presë së fundit.

E bllokuan dhe e rrëzuan Qeverinë Kurti jo nga shqetësimi për demokracinë, por nga frika se do ta humbnin kontrollin mbi prokurorinë, mbi drejtësinë, mbi ndërmarrjet publike, mbi tenderët dhe mbi kanalet e parasë së zezë.

Ata e kapën drejtësinë deri në palcë, buxhetin e shndërruan në plaçkë partie dhe shtetin në korporatë private të interesave mafioze, familjare dhe klienteliste.

Dhe pasi këtij vendi i shkaktuan plagë që mezi mbyllen, me ndihmën e Edi “Faqeziut” mbollën përçarje edhe mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.

Sepse e dinin mirë se uniteti mes tyre do të ishte fundi i sistemit të tyre feudal, uzurpues dhe zhvatës.

Kështu dëshmuan se jetojnë nga konflikti, se ushqehen shpirtërisht nga përçarja dhe se mbijetojnë vetëm kur shqiptarët luftojnë mes vete.

Një dimension tjetër i krizës politike dhe morale në Kosovë ishte degradimi i një pjese të peizazhit mediatik dhe i disa opinionbërësve publikë, të cilët, në vend se t’i mbronin interesat e qytetarëve, u shndërruan në përforcues të narrativave destruktive kundër vetë shtetit të Kosovës.

Në shumë raste, diskursi i tyre publik përputhej në mënyrë alarmante me propagandën hibride që Serbia dhe aleatët e saj tradicionalë përdornin kundër Kosovës.

Si pasojë dhe jo rastësisht ndodhi relativizimi i sovranitetit shtetëror, demonizimi i çdo aksioni për rend dhe ligj në veri, sulmi i pandërprerë kundër institucioneve ligjvënëse dhe krijimii sistematik i mosbesimit kolektiv ndaj çdo procesi që synonte forcimin e shtetit.

Kështu që me të drejtë një pjesë e analistëve, portaleve dhe komentuesve publikë nuk perceptohen më nga shumica e qytetarëve si kritikë të pavarur, por si pjesë e një industrie propagandistike që ushqehet nga polarizimi, nga konfliktet permanente politike dhe nga interesat ekonomike të strukturave të vjetra të pushtetit.

Prandaj, dyshimet publike mbi burimet e financimit të disa mediave dhe mbi lidhjet e tyre të mundshme me oligarkë vendorë dhe rajonalë, me rrjete të errëta ekonomike apo me qendra ndikimi politik nuk duhet të refuzohen me arrogancë. Përkundrazi, duhet të kërkohet transparencë financiare, hetim institucional dhe etikë e mirëfilltë mediatike.

Sepse në epokën e luftës hibride, propaganda nuk zhvillohet më vetëm me tanke dhe armë. Ajo zhvillohet përmes studiove televizive, përmes portaleve hibride, përmes manipulimit emocional, përmes fabrikimit të perceptimeve dhe përmes prodhimit industrial të kaosit informativ.

Pikërisht për këtë arsye, mbrojtja e Kosovës nuk është vetëm detyrë e ushtrisë dhe policisë, por edhe e vetë qytetarëve, të cilët duhet të mësojnë ta dallojnë gazetarinë nga propaganda, kritikën legjitime nga sabotimi sistematik i shtetit dhe analizën profesionale nga manipulimi politik.

PSE QEVERIA KURTI PO U PENGON KAQ SHUMË?

Qeveria e Albin Kurtit po u pengon qendrave të vjetra politike, ekonomike dhe mediatike të pushtetit, sepse për herë të parë pas luftës ka filluar t’i sfidojë strukturat që për dekada funksionuan si të paprekshme.

Për herë të parë janë goditur rrjete që përfituan nga paraja publike, nga klientelizmi mafioz, nga ndikimi politik dhe nga dobësia institucionale.

Aksionet kundër kontrabandës në veri, kontrolli më i fortë mbi financat publike, kufizimi i qendrave informale të ish-pushtetit dhe përpjekja për t’i bërë institucionet më të pavarura nga interesat klanore e partiake, i kërcënojnë drejtpërdrejt qarqet që për vite të tëra përfituan nga ekzistenca e një shteti të thellë paralel.

Për këtë arsye, pothuajse çdo veprim i qeverisë nuk kritikohet vetëm politikisht, por dramatizohet emocionalisht dhe paraqitet si krizë ekzistenciale.

Sepse për shumë grupe oportuniste dhe mafioze, një shtet funksional ligjor nuk nënkupton aspak frikë nga humbja e lirisë informative, por vetëm frikë nga humbja e kontrollit mbi resurset, mbi tenderët dhe mbi mekanizmat e shantazhit.

Prandaj, një pjesë e agresionit politik dhe mediatik kundër Qeverisë Kurti nuk lidhet vetëm me vendime të caktuara politike, por me frikën se në Kosovë mund të ndërtohet gradualisht një shtet ku paprekshmëria politike, klientelizmi dhe strukturat informale të ish-pushtetit nuk do të jenë më mbi ligjin.

Prandaj zgjedhjet e 7 qershorit nuk janë thjesht garë elektorale.

Ato janë referendum historik mes dy modeleve krejtësisht të kundërta të shtetit:

mes Kosovës së klaneve dhe Kosovës së qytetarëve;

mes shtetit të shantazhit dhe shtetit të së drejtës;

mes feudalizmit politik dhe sovranitetit demokratik.

Qeveria Kurti nuk duhet të konfirmohet sepse është perfekte — sepse asnjë qeveri nuk është perfekte — por sepse për herë të parë pas luftës nisi ta rikthejë shtetin në duart e qytetarëve; pikërisht atë shtet që qeveritë paraprake për dekada e trajtuan si plaçkë private.

Për herë të parë filloi goditja e strukturave të kontrabandës në veri, zvogëlimi i varësisë nga rrjetet kriminale, forcimi i kontrollit mbi paranë publike dhe vendosja e idesë se shteti nuk është pronë e disa familjeve apo partive, por e gjithë popullit.

Një konfirmim me 60–70% nuk do të ishte thjesht rezultat zgjedhor.

Do të ishte gjykim moral i qytetarëve ndaj dy dekadave të zhvatjes, uzurpimit, linçimit, shantazhit, bllokadës dhe tradhtisë politike.

Do të ishte mesazh se populli është lodhur nga ata që fshihen pas retorikës patriotike, ndërsa në prapaskenë negociojnë dhe shesin shtetin.

Dhe do të ishte sinjal për botën e qytetëruar demokratike se Kosova nuk dëshiron më të mbetet peng i elitave të korruptuara, por synon të bëhet shtet sovran, funksional dhe demokratik, i ndërtuar mbi ligjin, dinjitetin dhe legjitimitetin qytetar.

Sepse shtetet nuk shemben fillimisht nga armiqtë e jashtëm.

Ato shemben së pari nga hajdutët, grabitqarët dhe tradhtarët e brendshëm që maskohen si shpëtimtarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *