TË FUNDIT

Pse disa kujtime mbeten me ne gjatë gjithë jetës? Roli i kortizolit në kujtesën emocionale

Stresi nuk ka vetëm efekte negative në organizëm.

Një studim i ri nga Universiteti Yale sugjeron se kortizoli, hormoni që çlirohet gjatë situatave stresuese, mund të ndikojë në mënyrën se si truri ruan kujtimet, duke u dhënë përparësi ngjarjeve me ngarkesë të fortë emocionale.

Stresi afatshkurtër aktivizon reagimin biologjik të njohur si “lufto ose ik”. Kur pasohet nga pushimi dhe gjumi i mjaftueshëm, ky reagim mund të ndihmojë në përpunimin e disa përvojave. Ndryshe ndodh me stresin kronik, i cili zgjat për muaj ose vite dhe mund të dëmtojë shëndetin.

Sipas studiuesve, kujtimet emocionale formohen në dy faza: fillimisht truri e identifikon një ngjarje si të rëndësishme, më pas e përpunon për ta ruajtur në kujtesën afatgjatë. Kortizoli mund të ndikojë në të dyja fazat, duke ndryshuar mënyrën se si komunikojnë rrjetet nervore të lidhura me emocionet dhe kujtesën.

Për të studiuar këtë proces, ekipi i Yale u dha pjesëmarrësve hidrokortizon, një formë farmaceutike e kortizolit, ose placebo.

Më pas ata panë imazhe me përmbajtje të ndryshme emocionale, ndërsa aktiviteti i trurit u regjistrua me rezonancë magnetike funksionale. Të nesërmen, pjesëmarrësit u testuan për të parë se cilat imazhe mbanin mend.

Rezultatet treguan se kortizoli ndikonte në komunikimin mes rrjeteve të trurit dhe se pjesëmarrësit që e morën atë kujtonin më mirë imazhet që kishin shkaktuar reagime më të forta emocionale.

Gjetjet, të publikuara në revistën Science Advances , ndihmojnë të kuptohet pse disa përvoja mbeten më të gjalla në kujtesën tonë. Megjithatë, studiuesit theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për t’i konfirmuar këto rezultate. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *