Presidentja Shiroka Pula takon ambasadorin austriak, diskutojnë bashkëpunimin ekonomik
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Giorg Shnetzar, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit politik e ekonomik.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit është diskutuar edhe për mbështetjen e Austrisë në rrugëtimin euroatlantik të Kosovës.
Presidentja Shiroka Pula ka shprehur mirënjohje për angazhimin dhe kontributin e Austrisë në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Në fokus të diskutimit ka qenë edhe bashkëpunimi ekonomik, me ç’rast presidentja ka theksuar rëndësinë e investimeve të drejtpërdrejta austriake për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës.
Ajo ka vlerësuar se ekziston potencial i konsiderueshëm për intensifikimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.
Në fund, Shiroka Pula ka shprehur bindjen se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, të karakterizuara nga miqësia dhe besimi i ndërsjellë, do të thellohen edhe më tej përmes bashkëpunimit politik, ekonomik dhe institucional. /Telegrafi/
