TË FUNDIT

Gjashtë lidhje ilegale të ujit shkyçen në Prizren dhe Suharekë, aksionet do të vazhdojnë

KRU “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar se po vazhdon aksionet për identifikimin dhe shkyçjen e lidhjeve të paautorizuara në rrjetin e ujësjellësit në rajonin e Prizrenit.

Sipas njoftimit të kompanisë, vetëm gjatë kësaj jave janë identifikuar dhe shkyçur gjithsej gjashtë lidhje ilegale të ujit, tri në Njësinë e Prizrenit dhe tri të tjera në Njësinë e Suharekës.

Kompania ka bërë të ditur se këto aksione janë të domosdoshme, veçanërisht në kohën kur po përballet me zvogëlim të kapaciteteve ujore dhe është e detyruar të zbatojë reduktime në furnizimin me ujë.

“Çdo shfrytëzim i paautorizuar i ujit e rëndon edhe më shumë situatën dhe ndikon në mundësinë e furnizimit të rregullt për konsumatorët e tjerë”, thuhet në njoftimin e KRU “Hidroregjioni Jugor”.

Nga kjo kompani kanë paralajmëruar se aksionet për identifikimin dhe shkyçjen e lidhjeve ilegale do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të mbrojtjes së burimeve ujore, rrjetit të furnizimit dhe sigurimit të trajtimit të barabartë për të gjithë konsumatorët. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *