Policia nuk lejoi grumbullimin para Kryeministrisë, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e Tiranës
Protestuesit u mblodhën sërish pasditen e sotme para godinës së Kryeministrisë në ditën e 174-t të protestës kundër qeverisë, por nuk u lejuan nga forcat e rendit të zhvillonin tubimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ndërhyrja vjen në zbatim të Aktit Normativ të qeverisë, që nuk lejon qytetarët të qëndrojnë në sheshe, duke u bërë pengesë për qarkullimin e mjeteve.
Policët kanë larguar protestuesit drejt trotuareve, për të zbatuar Aktin Normativ, i cili është cilësuar nga këta të fundit “i paligjshëm”.
Pas përplasjeve me policinë para Kryeministrisë, qytetarët kanë vijuar marshimin në rrugët e Tiranës, duke zhvendosur protestën drejt akseve të tjera të kryeqytetit.
Gjatë lëvizjes drejt zonës së “Myslym Shyrit”, protestuesit kanë përsëritur thirrjet kundër qeverisë, duke e lidhur mobilizimin e tyre me protestën kombëtare të paralajmëruar për 28 nëntor.
“Në 28 nëntor ne do dalim, Shqipërinë nuk e falim! Ne sistemin do rrëzojmë dhe lirinë do fitojmë”, ishte thirrja që shoqëroi marshimin e qytetarëve.
Protestuesit kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive në tubimin e 28 nëntorit, ndërsa kanë siguruar se qëndresa e tyre kundër qeverisë do të vijojë.
