Mexhiti vizitoi Preshevën: Çairi gjithmonë pranë Preshevës
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, gjatë një vizite në Preshevë, vizitoi Shkollën Fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi”, ku u njoh nga afër me rezultatet e mbështetjes së ofruar nga Komuna e Çairit. Përmes donacionit të komunës, shkolla është pajisur me një kabinet modern të informatikës, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e procesit mësimor dhe avancimin e njohurive teknologjike të nxënësve, bëhet e ditur në kumtesën e Komunës së Çairit.
“Investimi në arsim, dije dhe teknologji është investim në të ardhmen e gjeneratave të reja. Përmes këtij donacioni kemi synuar të krijojmë mundësi më të mira për nxënësit e Shkollës Fillore ‘Prof. Ibrahim Kelmendi’, duke u siguruar kushte bashkëkohore për mësim dhe zhvillim. Solidariteti me shqiptarët e Preshevës nuk duhet të mbetet vetëm në fjalë, por të dëshmohet përmes veprave dhe mbështetjes konkrete”, theksoi Mexhiti.
Kryetari Mexhiti nënvizoi se bashkëpunimi dhe solidariteti ndërmjet Çairit dhe Preshevës përbëjnë një bazë të rëndësishme për realizimin e iniciativave të përbashkëta, veçanërisht në fushën e arsimit. Ai ritheksoi rëndësinë e mbështetjes së institucioneve arsimore dhe krijimit të mundësive që fëmijët të zhvillojnë aftësitë e tyre në përputhje me kërkesat e arsimit bashkëkohor.
Çairi gjithmonë pranë Preshevës
