Policia e Shtetit: 14 policë të lënduar gjatë protestës, 35 persona të shoqëruar
Policia e Shtetit ka njoftuar se 14 punonjës policie janë plagosur si pasojë e sulmeve që kanë vijuar për disa orë gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë.
Përmes një reagimi zyrtar, Policia u ka bërë thirrje protestuesve të distancohen nga dhuna dhe të ndalojnë sulmet ndaj efektivëve dhe institucioneve shtetërore.
“Si pasojë e sulmeve që vijojnë prej disa orësh, janë plagosur 14 punonjës të Policisë së Shtetit”, thuhet në njoftim.
Policia ka dënuar aktet e dhunës dhe shkatërrimin e pronës publike e private, duke theksuar se e drejta për të protestuar nuk nënkupton të drejtën për të sulmuar punonjësit e rendit.
“E drejta për të protestuar është e garantuar me ligj, por ajo nuk i jep askujt të drejtën të ushtrojë dhunë, të sulmojë punonjësit e Policisë apo të shkatërrojë pronën publike e private”, thuhet më tej në reagimin e Policisë së Shtetit.
Autoritetet kanë bërë të ditur se po vijojnë veprimet për identifikimin dhe shoqërimin e personave të përfshirë në aktet e dhunës.
“Deri në këto momente, janë shoqëruar 35 shtetas”, njofton Policia, duke paralajmëruar se personat përgjegjës për këto akte do të identifikohen dhe do të përballen me ligjin.
Në fund të reagimit, Policia e Shtetit ka përsëritur thirrjen për ndërprerjen e menjëhershme të dhunës dhe për të mos rrezikuar jetën e efektivëve dhe të qytetarëve. /Telegrafi/
