“Po çfarë konsullate?!”, deputetja del me reagim të ashpër për konsullatën serbe në Shkodër
Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, ka reaguar kundër mundësisë së hapjes së një konsullate serbe në Shkodër, duke e cilësuar të papranueshme në kohën kur në Kosovë po vazhdojnë kërkimet për viktimat e luftës.
Në një postim publik, ajo theksoi se ndërsa në Zubin Potok po zbulohen varreza masive dhe po identifikohen viktima të krimeve të luftës, institucionet shqiptare po flasin për konsullatë dhe marrëdhënie të mira me Serbinë. Koçeku bëri thirrje që të mos harrohen krimet e luftës dhe mbështeti protestën e paralajmëruar në Shkodër kundër hapjes së konsullatës serbe.
Postimi i plotë:
Para dy ditësh filluen gërmimet në Zubin Potok për gjetjen e trupave të viktimave të luftës së Kosovës. Dyshohet për nji varrezë masive me 23 intelektualë të vramë nga forcat serbe, ndërsa deri më tash janë gjetë trupat e 6 prej tyne.
Dje, gjatë bastisjeve, u gjet edhe armatim, si dhe u arrestue nji person që kishte qenë anëtar i Armatës Jugosllave.
Ndërkohë që po ndodhin të gjitha këto, shteti shqiptar flet për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër. Po çfarë konsullate more?!
Deri më sot për këtë çështje ka vetëm sqarime të turbullta nga institucionet shqiptare, pra përpjekje me mos me sqaru hiç.
Flitet për parime diplomacie, marrëdhanie bilaterale, përfitime ekonomike por harrojnë ma të randësishmen: realitetin e nji populli të masakruem.
Të dielën pritet të nisin protestat në Shkodër kundër hapjes së konsullatës serbe.
Kjo nuk asht nji punë që kalon lehtë.
Ndërkohë që shteti shqiptar flet për konsullatë e fqinjësi të mirë me Serbinë, në Kosovë vazhdojnë të gjenden varre masive trupash të vramë edhe tash mbas 25 e kusur vitesh.
