TË FUNDIT

Hyri me veturë në shesh dhe hapi zjarr ndaj njerëzve – tragjedi në Poloni, të paktën pesë të vdekur

Të paktën pesë persona janë vrarë dhe rreth 12 të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri në sheshin kryesor të Krakovit, në Poloni.

Sipas policisë polake, incidenti ka ndodhur rreth orës 15:00, në zonën e Rynek Główny, një prej pikave më të frekuentuara të qytetit.

Autoritetet thanë se një burrë kishte hyrë me veturë në shesh dhe më pas kishte filluar të qëllonte në mënyrë të rastësishme drejt njerëzve.

I dyshuari është arrestuar, ndërsa në mesin e të plagosurve raportohet të ketë edhe zyrtarë policorë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë një numër i madh i ekipeve të policisë, zjarrfikësve dhe emergjencës, ndërsa zona rreth sheshit kryesor është siguruar nga autoritetet.

Pamjet nga Krakovi tregojnë forca të shumta të sigurisë dhe ekipe emergjente duke operuar në zonë.

Autoritetet e qytetit kanë kërkuar nga qytetarët që të qëndrojnë larg zonës ku po zhvillohet operacioni policor dhe të respektojnë udhëzimet e shërbimeve emergjente.

Kryeministri polak Donald Tusk ka reaguar pas sulmit, duke thënë se po mbahet i informuar për situatën nga ministri i Brendshëm.

“Policia po heton sfondin dhe të gjitha rrethanat e sulmit”, ka deklaruar Tusk.

Jestem na bieżąco informowany przez ministra spraw wewnętrznych o sytuacji w Krakowie po tragicznej strzelaninie. Policja bada tło i wszystkie okoliczności zamachu. — Donald Tusk (@donaldtusk) November 7, 2026

Rynek Główny ndodhet në zemër të qytetit të vjetër të Krakovit dhe konsiderohet një prej shesheve mesjetare më të mëdha në Evropë.

Autoritetet polake po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar motivin dhe rrethanat e plota të sulmit, ndërsa bilanci mund të përditësohet pasi ngjarja është ende në zhvillim. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *