TË FUNDIT

Përtej fotografisë, dy ekspozita në FOTOIST rrëfejnë plagët e luftës në Kosovë

Festivali Ndërkombëtar i Fotografisë Artistike FOTOIST do të hapë edicionin e tij të katërt në Prishtinë, duke sjellë ekspozita që përmes fotografisë trajtojnë kujtesën, historinë dhe përvojat njerëzore.

Ceremonia solemne e hapjes do të mbahet të premten, më 9 tetor, nga ora 18:00, në sheshin para Hotelit Grand në Prishtinë. Pas ceremonisë, aktivitetet do të vazhdojnë në hapësirat e hotelit, ku do të hapen pesë ekspozita nga gjithsej 12 që përfshihen në këtë edicion të festivalit.

Në mesin e ekspozitave që do të prezantohen janë edhe projektet e fotografëve Korab Basha dhe Ridvan Slivova, të cilët përmes punës së tyre trajtojnë dy aspekte të rëndësishme të historisë së Kosovës: përvojat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe dokumentimin e masakrave ndaj popullatës civile shqiptare.

Në një prononcim për Telegrafin, Korab Basha ka treguar se pjesëmarrja në FOTOIST është e rëndësishme për të, duke vlerësuar rritjen e festivalit nga viti në vit. Projekti i tij, “Në syrin e tjetrit”, i kushtohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Për mua është shumë e rëndësishme të marr pjesë në FOTOIST, një festival që çdo vit po bëhet edhe më i madh. Projekti im ‘Në syrin e tjetrit’ ka të bëjë me të mbijetuarit e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë”, ka thënë Basha për Telegrafin.

Fotografi ka falënderuar organizatën Medica Gjakova për ndihmën në realizimin e projektit, si dhe Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit për financimin e ekspozitës. Ai ka bërë të ditur se ekspozita nuk do të mbetet vetëm në Prishtinë, por do të udhëtojë edhe në qytete të tjera të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Dua që kjo ekspozitë të jetë lëvizëse, sepse ne duhet t’i mbështesim këta persona në çdo formë. Mund të kishim qenë edhe ne në vendin e tyre dhe ata nuk e meritojnë në asnjë moment bullizmin dhe stigmatizimin”, është shprehur ai.

Përmes këtij projekti, Basha synon të kontribuojë në rritjen e mirëkuptimit dhe mbështetjes për të mbijetuarit, duke vënë në pah rëndësinë e trajtimit të tyre me dinjitet dhe pa paragjykime.

Ndërkaq, fotografi Ridvan Slivova do të prezantojë një ekspozitë me karakter historik, e cila dokumenton masakrën e kolonës së banorëve të fshatrave të Prishtinës, të njohur si masakra e Gollakut, gjatë vitit 1999.

Slivova ka shprehur mirënjohje për ftesën e drejtorit të FOTOIST-it, Burim Myftiu, që ekspozita e tij të jetë pjesë e hapjes së festivalit. Ai ka theksuar se fotografitë janë dëshmi të ngjarjeve tragjike të përjetuara nga popullata shqiptare e Kosovës gjatë luftës.

Në bashkëpunim me Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), fotografitë janë arkivuar edhe në këtë institucion, duke marrë kështu vlerë të rëndësishme dokumentuese.

Sipas Slivovës, ekspozita trajton vuajtjet e popullatës civile të paarmatosur dhe dhunën e ushtruar ndaj saj gjatë luftës, ndërsa përmes fotografive synon të ruajë dëshmitë për brezat e ardhshëm.

“Mesazhi im është shumë konkret: të mos ketë harresë për një kujtesë”, ka thënë Slivova për Telegrafin.

Përmes këtyre dy ekspozitave, fotografia shndërrohet në një mjet për të dokumentuar histori personale e kolektive, për të ruajtur dëshmitë e së kaluarës dhe për të nxitur reflektim mbi mënyrën se si shoqëria i trajton të mbijetuarit dhe kujtesën e luftës.

Edicioni i katërt i FOTOIST-it mbahet nga 29 shtatori deri më 16 tetor 2026, ndërsa hapja solemne në Prishtinë synon të mbledhë së bashku artistë, fotografë dhe publikun në një mbrëmje kushtuar fotografisë, artit dhe kujtesës. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *