TË FUNDIT

Përplasje ndërmjet Ramës dhe Bogujevcit për renovimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe ministrja e Kulturës dhe Sportit, Saranda Bogujevci, janë përfshirë në një debat në rrjetet sociale lidhur me renovimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Rama ka kritikuar mënyrën se si Ministria e Kulturës po e realizon renovimin e objektit, duke theksuar se Teatri Kombëtar ndodhet në renovim tash e pesë vjet.

“A po e njihni këtë objekt? Është Teatri Kombëtar i Kosovës, në mes të Prishtinës, që tash e pesë vjet është në renovim!”, ka shkruar Rama në Facebook.

Ai ka reaguar edhe ndaj asaj që e ka quajtur “mbindërtim” në objektin e teatrit, duke kritikuar njëkohësisht Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM).

“A po e shihni atë ‘mbindërtim’ atje? Kështu po e rinovon MKRS-ja thesarin e kulturës sonë, Teatrin Kombëtar. Ndërkohë, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) e ka blloku krejt Prishtinën në emër të mbrojtjes së trashëgimisë!”, ka shkruar ai.

“Qe si e trajtojnë këta trashëgiminë kulturore shtetërore, e neve nuk na lojnë as me gërry asfalt, se po na del trashëgimia!!”, ka shtuar Rama.

Pas këtij reagimi, ministrja e Kulturës dhe Sportit, Saranda Bogujevci, i është përgjigjur Ramës përmes një postimi në Facebook.

“Përparim Rama, për dallim nga ju, ne trashëgiminë kulturore nuk e trajtojmë sipas interesave të ditës, por me përgjegjësi dhe respektim të ligjit”, ka shkruar Bogujevci.

Ajo ka bërë të ditur se në Teatrin Kombëtar të Kosovës po investohen mbi shtatë milionë euro dhe se punimet po vazhdojnë me dinamikë të lartë.

“Në hartimin e projektit dhe mbikëqyrjen e punimeve janë të përfshirë profesorë nga gjashtë fakultete të Universitetit të Prishtinës, ndërsa punimet po kryhen nga operatorë të licencuar për konservim”, ka theksuar ministrja.

Sipas saj, qëllimi është modernizimi i Teatrit Kombëtar, krijimi i kushteve të dinjitetshme për artistët, stafin dhe publikun, si dhe ruajtja e vlerave historike të ndërtesës.

Bogujevci ka adresuar edhe kritika ndaj kryetarit të Prishtinës.

“Kisha pas qejf që, me të njëjtin seriozitet me të cilin punojmë ne për trashëgiminë kulturore, të punonit edhe ju për Prishtinën. Ndoshta, po të merreshit me zgjidhjen e problemeve të qytetit, nuk do të kishit nevojë t’i përdornit punët tona për sulme politike”, ka shkruar ajo.

Ministrja ka theksuar se do të vazhdojnë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore përmes punës konkrete, profesionalizmit dhe respektimit të ligjit.

“Sepse trashëgimia kulturore nuk mbrohet me akuza, por me përgjegjësi dhe veprime”, ka përfunduar Bogujevci.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *