Peci dhe Tahiri reagojnë pas tensioneve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, dhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, kanë dalë me reagime pas tensioneve të sotme në Kuvendin Komunal, ku debati për financimin e klubeve sportive përfundoi me ndërprerjen e seancës.
Dy ofiqarët kanë akuzuar njëri-tjetrin për situatën e krijuar, duke e kthyer incidentin në një përballje publike mes qeverisjes komunale dhe opozitës.
Përfaqësuesi i qeverisjes komunale, përmes një postimi në Facebook, ka mohuar pretendimet për rrahje në Kuvendin Komunal, duke thënë se për këtë ekzistojnë dëshmi me video-incizime.
“Njoftojmë qytetarët e Mitrovicës se pretendimet për gjoja rrahje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës janë plotësisht të pavërteta, për çka ekzistojnë dëshmi me video-incizime”, ka shkruar Peci.
Sipas tij, konflikti verbal është nxitur fillimisht nga dy asamblistët e PDK-së në drejtim të drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport, Gazmend Asllani. Ai tha se reagimi i drejtorit erdhi pasi ky rikujtoi keqpërdorimet e bëra gjatë qeverisjes së kaluar, për çka, sipas tij, ishte arrestuar një ish-drejtor i PDK-së.
“Qeverisja jonë nuk shantazhohet, as me kërcënime me grushte, as me ndonjë kërcënim tjetër”, ka shtuar ai.
Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, e ka akuzuar qeverisjen komunale për situatën e krijuar.
“Kjo që ndodhi sot në Kuvendin Komunal të Mitrovicës është pasojë e arrogancës, papërgjegjësisë dhe qeverisjes së mbrapshtë që është instaluar në qytetin tonë”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka akuzuar pushtetin komunal se e ka shndërruar Kuvendin Komunal në arenë provokimesh e përplasjesh fizike, ndërkohë që, sipas tij, në prapaskenë po bëhet “pazar me pronat publike”.
“Nuk do ta lejojmë askënd t’i keqpërdorë pasuritë e Mitrovicës për interesa politike, personale apo klienteliste. Kushdo që tenton ta bëjë këtë, do të na ketë përballë! Pronën publike dhe interesin e qytetarëve do t’i mbrojmë në çdo mënyrë dhe me çdo kusht!”, ka shkruar Tahiri.
Seanca e Kuvendit Komunal u ndërpërë pa ardhur në fund një vendimi për financimin e klubeve sportive, ndërkohë që premtimet nga të dy palët për “dëshmi” dhe “publikime”, video-incizimet që përmend Peci dhe akuzat për keqpërdorim pronash që ngrit Tahiri, priten të verifikohen në ditët në vazhdim.
